Infrastrukturë
“Qyteti hero” i Bosnjës që po vdes në heshtje
Dërvari dikur ishte i njohur për industrinë e drurit dhe për faktin se ishte simbol i luftës partizane kundër okupimit nazist. Por, tani, qyteti po shuhet.
Kur Boro Plaziq shikon në rrugën kryesore të vendlindjes së tij Dërvar në Bosnjën veriperëndimore, ai ndonjëherë e imagjinon atë të mbushur me njerëz, vendas dhe turistë, pasi tingujt e këngëve partizane të vjetra Jugosllave i jehojnë në vesh.
Pastaj ai zgjohet nga e kaluara dhe sheh zbrazëtirën e tanishme. Pothuajse askush nuk është atje. «Ndonjëherë, ndjehem sikur po qaj», tha për BIRN, 62 vjeçari në pension, drejtor i hotelit.
Qyteti i Dërvarit ishte dikur një destinacion popullor turistik në të gjithë Jugosllavinë për shkak të rolit të tij në luftën çlirimtare në Luftën e Dytë Botërore.
Por lufta e viteve 1992-95 brenda Bosnjës e ka vrarë atë. Lufta dëboi shumicën e banorëve, ndërkohë papunësia që pasoi në paqe e dëboi rininë.
Pensionet e atyre që kanë qëndruar janë të pamjaftueshme për një jetë të denjë, industria e paraluftës është në rrënoja dhe «ata që janë ende të shëndetshëm dhe të cilët dëshirojnë të punojnë, nuk kanë punë», thotë punëtori i pensionuar i hekurudhave, Jova Tomazoviq, tani në të tetëdhjetat, duke treguar shkaqet e zbrazëtisë së trishtuar të Dërvarit.
«Kishte shumë zhurmë këtu, plot njerëz, muzikë kudo», kujton ai, duke vështruar tek rruga e zbrazët nga një stol. «Tani gjithçka është e vdekur».
Nga popullsia kryesisht e moshuar që ka qëndruar në Dërvar, çdo ditë dikush vdes. «Së shpejti nuk do të jetë askush për t’i varrosur ata», shton plaku.
Dërvari emrin e ka marrë nga fjala «drvo», që do të thotë «dru», dhe gjëja e parë që vërehet nga një vizitor është era e drurit të prerë, kasollet e panumërta prej druri dhe grumbujt e drurëve të grumbulluar para shtëpive dhe ndërtesave. Rrethuar nga pyjet, Dërvari ishte i njohur për industrinë e drurit.
Por ai njihej edhe si «qyteti hero» për rolin e tij në Luftën e Dytë Botërore. Momenti i famës së Dërvarit erdhi në vitin 1944, kur gjermanët okupues filluan «operacionin Rosselsprung» në një përpjekje për të goditur dhe vrarë udhëheqësin e rezistencës jugosllave, Josip Broz Tito, i cili ishte i vendosur në një shpellë të afërt. Imazhi i Dërvarit u lidh me historinë e 16-vjeçares Milka Bosniq, të cilën gjeneratat e vjetra në ish Jugosllavi e njohin mirë.
Gjatë betejës në qytet në vitin 1944, ushtarët gjermanë hodhën një mbulesë mbi një tank partizan, duke ia penguar pamjen atij dhe duke rrezikuar ushtarët e plagosur brenda, të cilët rrezikuan të binin në duart e gjermanëve.
Bosniq ishte duke ecur mes një grupi të kapur vendasish, të udhëhequr nga oficerë gjermanë, kur e largoi mbulesën nga tanku, për t’ua mundësuar partizanëve të vazhdonin të luftonin. Gjermanët e hodhën poshtë atë me bajoneta.
«Baresha Milka, por Dërvari mbijetoi», koret jugosllave të fëmijëve do ta këndonin atë në dekadat pasuese.
Lufta e la qytetin në rrënoja, por u rindërtua shpejt dhe filloi të lulëzonte. Industria e drurit u rikthye, u zgjerua dhe u ndërtuan fabrika të reja. «Ka pasur shumë fabrika këtu që kushdo që donte të punonte mund të gjente një punë», kujton Plaziq.
Gjatë dekadave të ardhshme qyteti mori linja të reja të energjisë, një sistem furnizimi me ujë, rrugë, shkolla dhe një spital që shërbeu në të gjithë rajonin. «Ai kishte gjithçka», kujton Plaziq.
«Njerëz nga Glamoci Kluqi, Petrovaci, Grahova dhe nga e gjithë zona do të vinin në spitalin e Dërvarit për kushtet që i kishte ai. Ne kishim repartin e lindjes së fëmijëve, aty kryheshin operacione, kishim edhe repartin për sëmundje mendore», liston Plaziq.
Ajo që ai gjithashtu e kujton mirë, si dikush që ka qenë në biznesin e hotelit që nga mosha 19 vjeçare, është rritja e turizmit. Njerëzit u dyndën për të parë «shpellën e Titos» dhe Tito, tani presidenti Jugosllav, e vizitoi shumë herë qytetin. Në vitin 1981, Dërvari u riemërua pjesërisht pas tij, duke u bërë “Dërvari i Titos”, një emër që Plaziq pëlqen ta përdorë kufirit për qytetin e tij.
«Nga prilli deri në mes të tetorit ai ishte i mbushur. Agjencitë turistike do të sillnin shumë grupe këtu, deri në pikën ku ishte e vështirë të kalohej në trotuar», thotë ai.
Në vitin 1991, Dërvari kishte një popullsi prej 17 mijë e 500 banorë, 98 për qind prej të cilëve ishin serbë.
Por pastaj erdhi lufta e përgjakshme e Bosnjës në vitet 1992-1995, e cila e ndau vendin në dysh. Plaziq beson se Dërvari ishte shitur në një marrëveshje midis tre palëve kryesore në konikt.
Serbët u dëbuan, ose ikën, kur forcat kroate hynë në verën e vitit 1995. Në të njëjtën kohë, kroatët e dëbuar nga Bosnja qendrore filluan të lëviznin në Dërvar.
Marrëveshja paqësore e Dejtonit e vitit 1995 e ndau vendin në pjesën boshnjako-kroate dhe pjesën e serbëve, e linja ndarëse binte nëpër Dërvar.
Disa krahina lindore e gjetën veten në njësinë me shumicë serbe, Republika Srpska, dhe u riemëruan si «Dërvari Lindor».
Pjesa më e madhe e qytetit tani i përkiste Federatës Boshnjake dhe Kroate të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Kjo ngatërresë administrative e bëri territorin e Dërvarit të të gjithëve, por përgjegjësia nuk ishte e askujt, dhe çfarëdo jete që kishte mbetur në qytet, filloi të largohej.
Grupe të serbëve filluan të ktheheshin në qytet, por u përballën me ngacmime nga kroatët që tani banonin aty. Në vitin 1998, nacionalistët kroatë hynë në zyrën e kryebashkiakut, Mile Marcetas, serbi i cili kishte fituar zgjedhjet për kryebashkiak falë votave të munguara serbe. Ata e rrahën atë deri në pikën ku duhej të përdorte një karrocë.
Që nga lufta, askush nuk ka investuar shumë në të ardhmen e qytetit. Kompanitë kryesore që dikur ishin linja e jetesës së Dërvarit, të tilla si fabrika e qilimave, letrës dhe celulozës, nuk janë rindërtuar. Bizneset e tjera, duke përfshirë hotelet, ishin subjekt i privatizimeve të diskutueshme, gjë që çoi në mbylljen e tyre të mëvonshme dhe në humbjen e qindra vendeve të punës. «Ata i dhanë të gjitha për kikirikë», thotë Plaziq.
Spitali nuk u rihap kurrë. Në vend të tij, një «qendër mjekësore» vepron në një pjesë të ndërtesës së tij të vjetër, ku mjekët nga zonat e tjera vijnë disa herë në javë. Për situata emergjente ose sëmundje më serioze, vendasit duhet të shkojnë në afërsi të Livnos, që është 104 kilometra larg.
«Ju mund të vdisni disa herë, ndërsa prisni që ambulanca të vijë për t’ju marrë nga Livno», pohon Plaziq.
Shkalla e papunësisë në Bosnje është mjaft e lartë, deri në 40 për qind, por në Dërvar është rreth 80 për qind. Numri i banorëve është zvogëluar përkatësisht nga kulmi i paraluftës prej 17 mijë e 500 deri në 7 mijë e 36 në vitin 2013.
Shumica e kroatëve që erdhën pas vitit 1995 kanë shkuar. Nga banorët e tanishëm në pjesën kryesore të qytetit që i përket Federatës, 6 mijë e 420 janë serbë, 552 janë kroatë dhe 11 janë boshnjakë. Vetëm 66 banorë jetojnë në Dërvarin lindor, 65 serbë dhe një kroat.
Në vitin 2013, banorët vendës organizuan një funeral të simuluar për qytetin, i projektuar për të nxjerrë në pah perspektivat e tij të zymta. Ata ndezën qirinj dhe vendosën pankarta për funerale.
«Vetëm këtu ekziston pikëllimi dhe papunësia», thotë Bogdan Runiq, një aktivist humanitar. «Nëse nuk i përkisni ndonjë prej partive në pushtet, nuk mund të merrni një punë të përshtatshme, madje as të fshini rrugët», shton ai.
«Shumica e njerëzve po përpiqen të gjejnë mënyra për të dalë nga këtu».
Në të vërtetë, në shumicën e qyteteve në Bosnje, numri i dritave e bën të vështirë të shihen yjet në mbrëmje. Por në Dërvar në një mbrëmje të premte tetori, qielli është magjik, i mbushur me yje të ndritshëm dhe nuk ka pothuajse asnjë dritë ose njerëz në sheshin kryesor.
Është i qetë, përveç tingullit të një sharre në distancë, një makine të rrallë që kalon dhe dyqanit rastësor të kafesë ku luhet muzika, por vetëm për pak njerëz që zënë dy ose tre tavolina.
Dritat janë kur kohë më parë në qindra shtëpi të braktisura, dhe në muajt janar dhe shkurt, për ditë të tëra, «vetëm qentë dhe macet mund të shihen në rrugë», thotë Plaziq.
«Unë ende po përpiqem të kuptoj nëse duhet të qëndroj këtu ose të largohem», shton ai. «Unë e dua këtë qytet më shumë se çdo gjë, por nuk e di nëse mund ta bëj më këtë».
Historia e Milka Bosniq po venitet nga kujtesa. Tradita e mësimdhënies në shkollat e Bosnjës u ndërpre kohë më parë. Tre grupet kryesore etnike të vendit kanë kurrikulat e tyre të veçanta, secili duke mësuar versionin e tyre të historisë.