Aktuale
Qytetarët presin jashtë, stacionin e trenit në Drenas e kanë bërë restorant

Ky objekt do të duhej të shfrytëzohet nga qytetarët e Drenasit, të cilët udhëtojnë me tren.
Por, ka dhjetë vjet që ai është dhënë në shfrytëzim për periudhë 30 vjeçare, pronari i së cilës e ka kthyer atë në biznes privat, duke e hapur restorant.
Qytetarët kërkojnë që ky objekt t’u kthehet në shfrytëzim, pasi që vlerësojnë se po u bëhet e padrejtë.
Sipas tyre, edhe kur është moti i ftohtë duhet të presin jashtë për shkak se nuk u është lënë apo edhe rregulluar asnjë hapësirë.
Kundër ushtrimit të kësaj veprimtarie në një pronë publike është edhe opozita e kësaj komune, që hedh kritika ndaj qeverisjes komunale, sipas të cilëve, qeverisja lokale po i mbyll sytë karshi kësaj gjendjeje.
Se po u bëhet e padrejtë këtyre qytetarëve e pranon edhe komuna, e cila përmes një përgjigjeje elektronike, thotë se nuk ka kompetenca për të ndërmarrë asgjë.
Sipas tyre, kjo çështje është në kompetencën e ndërmarrjes “Infrakos”.
“Ne nuk kemi autoritetin të marrim veprime në pronën e INFRAKOS-it. Pavarësisht kësaj, ne do të kërkojmë nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje që t’iu ofrojë kushte më të mira udhëtarëve” , thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim e Komunës së Drenasit.
Ndërkaq, pronari i restorantit nuk ka dashur të flasë para kamerës, duke thënë se i posedon të gjitha dokumentet për të punuar në këtë objekt.
Edhe zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, gjithashtu kanë thënë se nuk kanë kompetencë për të ndërhyrë në këtë çështje.
Por kryeshefi i Infrakosit, Agron Thaçi nuk ka dashur të flas lidhur me dhënien e kontratës.
Në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e dytë të vitit 2017, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është rreth 57 mijë, krahasuar me tremujorin e parë të po këtij viti, ky numër është rritur për 9.19 për qind.
Por edhe pse ka pasur rritje të shfrytëzimit, Infrakosi, përpos këtij objekti, ka dhënë me qira edhe disa të tjerë, të cilët kanë shërbyer për udhëtarët.
