Aktuale
Qytetarët bëjnë vendkalime të rrezikshme mbi hekurudhë
Vendkalimi i improvizuar nëpër hekurudhën e trenit në Prishtinë, edhe pse i rrezikshëm e i ndaluar, është zgjidhja e vetme që qytetarët e kanë për momentin, për t’u lidhur me rrugën kryesore.
Qytetarët prapa kamerave, shprehen mjaft të shqetësuar, pasi që fëmijët e tyre duhet të kalojnë shpesh aty, raporton KTV.
Një banor i lagjes “Arbëria” në Prishtinë, thotë se janë disa vendkalime vetëm në atë pjesë.
Vozitësit e trenit mundohen që me sirenë të paralajmërojnë ardhjen e trenit, në mënyrë që të mos ndodhë ndonjë fatkeqësi.
Problem shkakton edhe te ngasësit e veturave mosvendosja e ndonjë ndalese, ani pse në këtë pjesë ka shenja paralajmëruese.
Kryeshefi i INFRAKOS- it, Agron Thaçi, ka thënë për KTV- në, se janë disa vendkalime të cilat janë ilegale, e që vazhdimisht i eliminojmë, por që përsëri vendosen.
Ai ka shtuar se kanë filluar hartimin e projektit të rehabilitimit të hekurudhës dhe do të bëhet zgjidhje afatgjate.
Ndryshe, zyrtarë të Policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur se kanë identifikuar shkelje që janë bërë nga institucionet e tjera si Kuvendet Komunale dhe INFRAKOS-i, duke mos vendosur shenjat e komunikacionit rrugor për vendet ku kryqëzohen rrugët dhe hekurudha.
Sipas Policisë, ky institucion do të bëjë inspektime, me qëllim që të verifikojë se a janë marrë masa nga institucionet përkatëse për vendosjen e shenjave adekuate në hekurudha.



