Aktuale
Qeveria pritet ta mbyll AKP-në
Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të cilat së bashku do të bashkëqeverisin vendin, në marrëveshjen e tyre kanë paraparë që të mbyllin Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AKP].
Në kuadër të disa takimeve që kishin pasur grupet punuese të VV-së e LDK-së për të harmonizuar programin qeverisës, si pjesë e ndjeshme e diskutimeve ishte ajo për agjencitë e pavarura.
Të dy partitë para nisjes së bisedimeve për koalicion kishin paralajmëruar se në qeverisjen e tyre do të ketë disa ndryshme te këto agjenci, duke paralajmëruar edhe mbylljen e tyre.
Kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani, kishte deklaruar se bordet e Agjencive janë të politizuara dhe po ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë si dhe në humbjen e besimit të qytetarëve, derisa, e njëjta kishte deklaruar se duhet de-politizim i menjëhershëm.
Osmani kishte thënë se agjencitë dhe ndërmarrjet e ndryshme të pavarura në qeverinë e ardhshme do të funksionojnë në kuadër të ministrive përkatëse. Qëndrime të njëjta kishin pasur edhe nga partia e Albin Kurtit.
Dy subjektet që dolën të parat nga zgjedhjet e 6 tetorit, tashmë janë pajtuar që në qeverisjen e tyre të mbyllet Agjencia Kosovare e Privatizimit – AKP-ja.
Tutje, bëhet e ditur se agjencia e privatizimit do të funksionojë në kuadër të Qeverisë e se procesi i privatizimit sipas kësaj marrëveshje do të jetë në kompetencë të qeverisë.


