Aktuale
Qeveria në ardhje mund të anulojë projeksionet e buxhetit për vitin 2020
Projeksionet e buxhetit për vitin 2020 të Qeverisë në largim të Kosovës, mund të anulohen nga Qeveria në ardhje.
Përfaqësuesit e partive që i kanë fituar zgjedhjet e 6 tetorit, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se Korniza afatmesme e shpenzimeve 2020-2022, e publikuar nga Qeveria në largim, do të rishikohet.
Korniza afatmesme e shpenzimeve paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të hartohet buxheti vjetor për vitin 2020
Bazuar në rezultatin preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy këto parti janë duke negociuar rreth formimit të koalicionit qeverisës.
Arbërie Nagavci, anëtare e Kryesisë në Lëvizjen Vetëvendosje thotë për Radion Evropa e Lirë që secila qeveri dëshiron të planifikojë dhe miratojë vetë Ligjin e buxhetit dhe t’i adresojë prioritet që i ka në programin qeverisës.
“Duke pasur parasysh se kemi pasur mjaft kontrata të dëmshme edhe kemi pasur intervenime në buxhet që nuk janë bërë në mënyrë parimore dhe nuk mundësojnë zhvillimin e vendit, është e natyrshme që duhet të rishikohet në bazë të legjislacionit në fuqi, i cili lë hapësirë për një gjë të tillë, dhe gjithsesi se do të rishikohet”, thotë Nagavci.
Ajo thotë se presin që sa më shpejt të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit dhe të hapet rruga për krijimin e Qeverisë së re, në mënyrë që të mos ketë vonesa në miratimin e buxhetit për vitin 2020.
Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas Kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i këtij viti.