Aktuale
Qeveria merr disa vendime për përmirësimin e ndërmarrjeve publike

Me qëllimi të përmirësimit të performancës së ndërmarrjeve publike dhe rritjes së vlerës së aseteve, Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept dokumentin për ndërmarrjet publike.
Gjithashtu me këtë koncept- dokument synohet ofrimi i shërbimeve cilësore për qytetarët.
“Në koncept-dokument trajtohet harmonizimi dhe zbatimi i parimeve themelore të qeverisjes së korporatave siç janë korniza e pronësisë, mekanizmi efektiv i mbikëqyrjes, funksionimi i bordeve, raportimi, fuqizimi i rolit të aksionarit, auditimi financiar, menaxhimi i riskut, transparenca dhe llogaridhënia, marrëdhënia me aksionarët, që janë parakushte për realizimin e objektivave të ndërmarrjeve publike’, thuhet ne komunikatën e Qeverisë.
Përveç koncept -dokumentit për ndërmarrjet publike, në mbledhjen e sotme Qeveria ka aprovuar edhe vendimi për themelimin e komisionit ndërministror për ndërmarrjet publike, në përbërje të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Ministrit të Financave, Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Ministrit të Infrastrukturës dhe Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike dhe të strukturave përgjegjëse për të koordinuar, monitoruar dhe zbatuar dokumentet strategjike të reformës së administratës publike.
Këshilli i Ministrave të Reformës së Administratës Publike ka këtë përbërje:
Ministri i Administratës Publike; Ministri i Financave; Ministri i Integrimeve Evropiane; Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal; Ministri i Tregtisë dhe Industrisë; Ministri i Drejtësisë , dhe Këshilltarë i Kryeministrit.
