Aktuale
Qeveria me ‘Task-Forcë’ për largimin e mbeturinave

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për krijimin e Task Forcës për pastrimin e mjedisit në periudhën 15 shtator- 15 dhjetor 2018.
Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj si koordinatore e kësaj Task Force, së bashku me Kryeministrin, ministrat, shoqërinë civile, FSK-në, KFOR-in dhe të tjerët do të sigurojnë një aksion gjithëpërfshirës për pastrimin dhe gjelbërimin e Kosovës, paralelisht me këtë aksion nga muaji shtator “Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të filloj me zbatimin e udhëzimit për Gjobat Mandatore, ku përmes gjobitjes së qytetarëve që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara do të ndalim ri-krijimin e deponive ilegale të mbeturinave”, bëhet e ditur në komunikatën e dërguar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ministria e Mjedisit dhe Palnifikimit Hapsinor i fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të raportojnë të gjithë ata që në një apo formë tjetër ndotin mjedisin ku jetojnë kështu do të arrihet qëllimi për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit.
MMPH-ja, së fundmi në “Ditën Botërore të Mjedisit” më 5 qershor 2018 ka realizuar aksion të pastrimit në 26 komuna të Kosovës duke pastruar kështu dhjetëra deponi ilegale.
Ndër të tjera Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka mirëpritur edhe vendimin tjetër të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, që ka për qëllim të ofrojë një bazë për zhvillimin e masave të komunitetit për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga burimet e mëdha, në veçanti nga industria, amvisëria, shërbimet publike dhe private, automjetet e transportit dhe infrastruktura.
