Aktuale
Qeveria iu premton lehtësira fiskale investitorëve nga diaspora shqiptare
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/auto_25_11_2017-ZKM-1_11511624906.jpg)
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, të udhëhequr nga kryetari, Nazar Mehmeti, dhe kryetari i nderit, Lazim Destani, si dhe përfaqësues të tjerë të bizneseve nga diaspora të cilët e përgëzuan atë për përgjegjësitë e reja, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Me këtë rast, Haradinaj i ka përgëzuar përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës për kontributin e tyre dhënë Kosovës në të gjitha periudhat.
Dihet që edhe nga raportet ndërkombëtare, mërgata shqiptare në vendet e Europës dhe të gjitha kontienteve tjera në botë, ka investuar në masë të madhe në ndërtim. Për më shumë, Banka Botërore në raportin e vitit të kaluar, pati cilësuar investimin nga investimet e mërgatës sikur indikator për rritje ekonomike, ngaqë kanë investuar në ndërtim.
Haradinaj, theksoi përkushtimin e qeverisë për krijimin e lehtësirave fiskale për të gjithë investitorë nga diaspora që dëshirojnë të sjellin investimet e tyre në Kosovë, duke thënë se, “Qeveria do të jetë partnere në punën e tyre dhe në të gjitha sfidat e përbashkëta, si në rend dhe ligj dhe luftën kundër korrupsionit”.
Ndërkaq, Mehmeti shprehu përkushtimin e tyre që maksimalisht të angazhohen në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Po ashtu, Mehmeti tha se, “diaspora shqiptare si gjithherë është e gatshme të ndihmojë shtetin e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euro atlantike”.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)