Aktuale
Qeveria investon 14 milionë euro në Gjakovë

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ai i Brendshëm, Flamur Sefaj, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi si dhe ajo e Mjedisitit dhe Planifikimt Hapësinor, Albena Reshitaj kanë qëndruar për vizitë në Komunën e Gjakovës ku janë pritur nga kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini.
Me këtë rast, i pari i Infrastrukturës në vend, Pal Lekaj ka bërë me dije se kanë nënshkruar memorandum për mbështetjen e disa projekteve në këtë komunë të cilat do të kapin vlerën e 14 milionë eurove.
“Sot jemi në Gjakovë për të vërtetuar faktin se komunat e Kosovës dhe qeveria janë duke bashkëpunuar ngushtë për realizimin e projekteve për të mirën e qytetarëve. Nga Gjakova, po japim mesazhin se pranvera që po vjen, do të jetë valë pune për Gjakovën dhe të gjitha komunat e Kosovës. Ne sot me kryetarin e Gjakovës, Gjini, nënshkruam një memorandum për bashkfinancim apo mbështetje që i ofrohet kësaj komune në infrastrukturë, në vlerë prej 14 milionë eurosh. Unë jam zotuar para Qeverisë së Kosovës dhe para qytetarëve të Kosovës, se Gjakova do ta marr trajtimin e merituar. Me keqardhje e them se kjo komunë, ka mbetur si zorrë qorre dhe nga sot po e merrë trajtimin që i takon. Të jeni të bindur se duke iu falenderuar kryeministrit të Kosovës dhe Qeverisë, kjo nismë simbolizon diçka të mirë dhe një bashkëpunim që është për t’u vlerësuar“, tha ministri Lekaj.
Ndër to sipas tij, më i madhi do të jetë ai për qarkoren e qytetit e cila pritet të ndërtohet në hyrje të Gjakovës.
Nga ana e saj, ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj tha se do të investohet në rehabilitimin e lumenjve.
Ajo njëherit njoftoi se me 200 mijë euro do ta mbështesin shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në këtë qytet.
Edhe ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se do të mbështesin terrenet sportive dhe ndërtimin e një qendre kulturore në fshatin Rogovë.
Krejt këtyre iu gëzua kreu i Gjakovës, Ardian Gjini i cili tha se sot ky qytet është përfituesi më i madh.
“Gjatë kësaj vizite ne i nënshkruam pesë marrëveshje bashkëpunimi, për fillimin e punimeve infratsrukturore në Gjakovë, me ministrin e Infratsrukturës, Pal Lekaj, ndër to është fillimi i ndërtimit të qarkores. Por gjatë këtij takimi kemi biseduar edhe për projektet që janë duke vazhduar në komunën e Gjakovës, edhe me ministrat e pranishëm. Sot jemi fitues të ditës, por kjo fitore do të thotë një obligim, pasi që investimet kanë munguar për kohët të gjatë. Biseduam dhe për anulimin e kredisë për ndërtimin e rrugëve të komunës së Gjakovës, sepse nuk kemi nevojë për këtë kredi. Rrugët e komunës sonë do të ndërtohen nga buxheti i Kosovës”, tha kryetari Gjini.
