Aktuale
Qeveria i del në krah “Abit”, Komuna e Prizrenit do ta padisë
Për të dytën herë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vendosur në favor të “Abi Çarshisë” në Prizren. Kjo ministri më 1 gusht, ka nxjerrë vendim, me të cilin e cilëson të pabazuar vendimin e Komunës për rrënimin e këtij kompleksi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në vendimin e siguruar nga KTV-ja thuhet se miratohet si e bazuar ankesa e kompanisë “Abi”, duke i pamundësuar çfarëdo veprimi Komunës së Prizrenit.
Tutje, vendimi sqaron se organet komunale duhet të veprojnë bazuar në dispozitat e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje dhe Udhëzimeve Administrative në fuqi.
Sipas vendimit të Ministrisë, Komuna e Prizrenit ka shkelur disa nene të këtij ligji kur vendosi të rrënonte një pjesë të kësaj qendre tregtare.
Një vendim të njëjtë, javë më parë, e mori edhe Gjykata Themelore në Prizren duke pezulluar rrënimin e objektit.
Por drejtori i Inspektoratit, Islam Thaçi, e ka cilësuar të padrejtë vendimin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.
“Për ne si Drejtori e inspektorateve edhe ky vendim është i kundërligjshëm. Padyshim se do të bëjmë padi, për shkak se kemi afate kohore dhe ligjore… fill pas festave. Ashtu siç ishte vendimi i parë, edhe ky është vendim i kundërligjshëm. Dhe, kur e marrim parasysh se Qeveria ka dhënë dorëheqje dhe duhet të pushojnë shumica e vendimeve dhe aktvendimeve”, tha për KTV-në Islam Thaçi, drejtor i Inspektoratit në Prizren.
Derisa përfaqësues ligjorë të kompanisë “Abi” insistojnë se Komuna do t’i kompensojë ata për dëmet e shkaktuara, kur nisi të rrënonte një pjesë të qendrës tregtare.