Aktuale
Qeveria e pafuqishme për rinovimin e shtëpisë-muze në Mitrovicën e Veriut
Qeveria e Kosovës del të jetë krejtësisht e pafuqishme në raport me Komunën e Mitrovicës së Veriut. Institucionet qendrore nuk ia kanë dalë që as t’ia nisin një kërkesë Komunës së Mitrovicës së Veriut për lejimin e punimeve në shtëpinë-muze, që gjendet në atë që njihet si “Lagjja e boshnjakëve” e zyrtarisht mban emrin lagjja “Lumbardh” në pjesën veriore të qytetit.
Qeveria në mbledhjen e 26 marsit të këtij vitit kishte vendosur që t’i ndante 20 mijë euro për rregullimin dhe funksionalizimin e shtëpisë-muze, ku më 15 prill 1999 ishin masakruar 23 shqiptarë nga forcat serbe. Mjetet bashkë me detyrimin për zbatim të vendimit i ishin bartur Ministrisë së Kulturës. Ky institucion kishte hapur konkurs publik duke ftuar kompanitë që të japin ofertat e tyre për rinovimin e shtëpisë.
Më 5 gusht ishte dhënë kontrata për një kompani në vlerë prej 15 mijë e 353 euro e 93 centë. Paraprakisht, më 15 prill, disa zyrtarë qeveritarë së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, kishin vënë një lloj guri themeltar për rinovimin e shtëpisë-muze. Por ato tri a katër lopata të betonit është e vetmja punë që është bërë prej atëherë, shkruan sot Koha Ditore.
Në vitin 2004, Komuna e Mitrovicës – që aso kohë ishte i vetmi institucion lokal i Kosovës për krejt qytetin – kishte marrë vendim që ish-pronarit Mustafë Sahiti t’i kompensohej prona me qëllim që shtëpia e tij të ishte muze. Hapësira ishte rregulluar në mënyrë modeste e ishin vënë disa fotografi për të kujtuar viktimat. Por shoqata “Zëri i Prindërve”, që udhëhiqet nga Bajram Qerkinaj, kishte kërkuar që shtëpia-muze të rinovohej. Projekti ishte bërë gati nga Drejtoria e Kulturës në Mitrovicën e Jugut.