Aktuale
Qendrat tregtare në Shqipëri mund të përsërisin krizën e ’97-s
Bumi i lejeve të ndërtimit që po jep dyshja Rama – Veliaj, si për kulla të larta banimi si për ndërtimin e qendrave të reja tregtare mund të rezultojnë flluska të rrezikshme, që kërcënojnë të kenë efektin e piramidave në ekonominë Shqiptare.
Megjithëse Erion Veliaj fitoi votat e banorëve të kryeqytetit duke deklaruar se ai nuk do të firmoste leje ndërtimi në një qytet të tejmbushur që ka 8 mijë banesa të pashitura, ai ka dhënë deri më tani mbi 170 leje ndërtimi.
E njëjta gjë po ndodh edhe me ngritjen e qëndrave të reja tregtare të cilat do të mësyjnë në një treg tashmë të ezauruar. Por pavarësisht kësaj sot në Tiranë ka nisur puna për ngritjen e së paku tre qendrave të dedikuara tregtare, përpos atyre butikëve dhe dyqaneve që do të shtohen në katet e para të grataçielave që kanë nisur ndërtimin. Ato janë: Downtoën Tirana, zgjerimi i hotel Tirana International, Eyes of Tirana, stadiumi i ri Qemal Stafa – Arena Kombëtare, “Mall of Albania” që shoqëria Edil Aj do të nisë të ndërtojë në Kashar.
Nisur nga ky boom i ri qendrash tregtare revista ekonomike “Monitor” ka bërë një analizë sipas së cilës rezulton se tregu i këtij biznesi është i ezauruar në kryeqytetin shqiptar. Ajo i referohet Colliers International, një agjencie ndërkombëtare real estate, sipas së cilës me 203 mijë m2 ndërtime Tirana ka më shumë sipërfaqe për frymë se të gjitha kryeqytetet e rajonit. Këtu, shifrat arrijnë në një sipërfaqe 235m2 për çdo 1000 banorë çka shpesh e kalon edhe mesataren e shumë vendeve të bashkimit Evropian (shiko të dhënat sipas shteteve poshtë).
Po të shihet ky boom i ri lejesh për qendra tregtare nga perspektiva se edhe sot ka të tilla të falimentuara si City Park dhe të tjera që mezi mbajnë veten (sipas shifrave të depozituara në tatime) perspektiva e lejeve të reja duket katastrofike. Por me sa duket atyre që i frimosin ato, u interesojnë vetëm përftitimi që fusin në xhep dhe jo frika se po bëhen bashkëpërgjegjës në ngritjen e piramidave të reja. (Lapsi.al)
Krahasimi me Ballkanin dhe Europën
Me një mesatare prej 235 m2 për 1000 banorë, Shqipëria ia kalon edhe vendeve perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca, Spanja. Në 28 vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave nga Research Gate, 19 shtete kanë sipërfaqe të qendrave tregtare për 1000 banorë më të vogël sesa 200 m2, ku më të ulëtin e kanë Rumania, Bullgaria, Greqia dhe në kahun tjetër, më të lartin e kanë Suedia, Norvegjia, Holanda, që i kalojnë 400 m2 për 1000 banorë.
Në Shkup, në fund të vitit 2016, totali i stokut të qendrave tregtare ishte 90 mijë metra katrorë, ose 178 metra katrorë për 1000 banorë
Në Beograd, në fund të tremujorit të parë 2017 sipërfaqja e qendrave tregtare ishte rreth 300 mijë m2, me 180 m2 për 1000 banorë.
Podgorica, me qendrat kryesore tregtare Delta City, Bazar dhe Mall of Montenegro, ka një stok prej 59,000 m2, ose 320 m2 për 1,000 banorë, sipas CBRE.