Aktuale
Qendra Historike e Prizrenit humb edhe një monument
Është rrënuar edhe një monument i trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, shkruan Ndërtimi.info
Ky objekt kishte gëzuar mbrojtje ligjore.
Monumenti i regjistruar si “Shtëpia e Bajram Sokolit” është rrënuar përkundër vendimit të lëshuar në muajin gusht nga autoritetet e trashëgimisë kulturore për ndërprerjen e punimeve në këtë objekt.
Organizata Ec ma Ndryshe, sipas informatave që ka marr nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, thuhet se Komisioni për vlerësim të projekteve restauruese-konservuese në kuadër të Institutit për Mbrojtje të Monumenteve të Kosovës në muajin korrik të këtij viti kishte miratuar kërkesën/projektin për renovimin/restaurimin e objektit shtëpi individuale për banim në ngastrën kadastrale 1910-0 në Prizren.
“Por më pastaj QRTK, pasi është informuar se në këtë shtëpi kanë nisur aktivitetet rrënuese ndonëse leja ka qenë për renovim, ka informuar IMMK-në dhe Komunën e Prizrenit për mosrespektimin e lejes së dhënë. Sipas QRTK më 22 gusht 2017 IMMK-ja ka pezulluar vendimin lidhur me projektin për renovimin/restaurimin e shtëpisë në fjalë. IMMK-ja gjithashtu ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve në objektin në fjalë për shkak të punimeve të kryera në tejkalim të kushteve dhe kritereve të përcaktuara në projektin e aprovuar nga IMMK. Ky Institut gjithashtu ka theksuar se “çdo veprim që zhvillohet pas pranimit të këtij vendimi nga të gjitha palët, konsiderohet ‘punë e pa autorizuar në trashëgiminë kulturore’ – vepër kjo e ndëshkueshme. Në të njëjtën kohë IMMK ka autorizuar QRTK-në që të zhvillojë të gjitha procedurat përkatëse me Komunën e Prizrenit në mënyrë që të zbatohet ky vendim respektivisht të ndërpriten punimet.”, thuhet në komunikatën e Ec ma Ndryshe.