Aktuale
Qendra e Studentëve me një konvikt më shumë, shihni se si duket “tetshi”
Shkëndije Ahmeti
E ndërtuar komform standardeve evropiane, me 6 mijë e 500 metra katror, ky është konvikti e 8-ë që zë vend në cepin e rrethojës së Qendrës së Studentëve (QS), përbri Konviktit 1 e përballë Konviktit 7.
Ky konvikt që kushton mbi një milion euro, e që do të jetë edhe i fundit në hapësirën brenda këtyre rrethojave do të ketë banorë 350 studentë. Brenda këtij objekti studentët do të kenë biblioteka, salla për lojëra të ndryshme me inventarë të paparë më herët.
E fatin për të shijuar gjithçka të re do ta kenë studentët meshkuj të Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit Teknik, ku tani i bie që katër objekte të jenë me femra dhe katër tjerë me meshkuj.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, për Ndërtimi.info ka treguar se hapësirat përcjellëse në këtë objekt gjashtë katëshe do të jenë të rehatshme për studentët. Objekti përshinë edhe podrumin ku janë paraparë sallat e leximit.
“Do të ketë edhe një inventar i cili do të jetë modern, që nuk ka ndodhë deri më tash. Sepse kemi bërë një përzgjedhje të një inventari i cili nuk ka qenë më parë në Qendrën e Studentëve dhe gjithçka do të jetë konform standardeve të reja në mënyrë që t’iu ofrojmë studentëve banim dhe rehati më të mirë. Ka me pas më shumë biblioteka, ka me pas salla Bilardo, salla pingpongu. Do të jetë me hapësira përcjellëse edhe për kreacion të studentëve”, tha Sfishta.
Në çdo dhomë do të ketë nga dy studentë, ndërsa dy dhoma do të kenë të përbashkët banjon.
“Dy dhoma e ndajnë një banjo. Do të thotë katër persona, katër studentë e ndajnë një banjo dhe ky projeksion është bërë nga inxhinierët dhe kanë pas parasysh edhe standardet që hapësira të jetë e mjaftueshme për atë numër të studentëve”, tregoi drejtori Sfishta.
Punimet e konviktit i cili parashihet të hapet me 20 tetor, është përcjellë nga inxhinieri i Ministrisë së Arsimit. Sfishta thotë se çdo tullë e vendosur është bërë në bazë të standardit të projektit, duke bërë kështu që edhe punimet të shkojnë mirë.
“Ne kemi si projekt-menaxher një inxhinier nga infrastruktura e Ministrisë së Arsimit i cili në çdo kohë që ka pas nevojë e ka përcjellë ndërtimin e këtij konvikti. Dhe deri më tash çdo ndërtim çdo tullë që është vendos është vendosur në bazë të standardeve të projektit”, ka treguar Sfishta.
Tutje ky objekt do të ketë edhe liftin i cili do të jetë funksional për kategoritë që kanë nevojë.
Nuk u ndal gjithçka këtu, QS këtë vit është duke bërë edhe rinovimin e Konviktit 1 dhe Konviktit 5 të cilat punime do të përfundojë para vendosjes së studentëve. Megjithatë Sfishta thotë se e rëndësishmja e konvikteve të ndërtuara në vitet e 70-ta është që ato të jenë të funksionale.
“Me rëndësi është t’i funksionalizojmë, Të jenë në funksion të mirë dhe funksionale. Nuk mundemi t’i bëjmë të reja sikur këto që po ndërtojmë tash, mirëpo janë funksionale. Në këtë rast dua të theksoj që banjot janë duke u rinovuar, komplet sanitari e konviktit numër 5 i cili ka kapacitet rreth 800 shtretërit dhe banjot e konviktit 1 janë në projekt dhe do të përfundojnë para datës së vendosjes së studentëve. Para 1 tetorit”, është shprehur Sfishta.
Për t’i dhënë hijeshinë gjallërisë së studentëve në oborrin prapa rrethojave të tetë konvikteve, do të bëhet edhe ngjyrosja e rrethojave. Veç kësaj do të bëhet edhe një portë madhështore.