Aktuale
Që nga viti 2008 Istogu s’arrin t’i marrë qiratë e pronave komunale
Komuna e Istogut nuk po arrin t’i menaxhojë pronat komunale të dhëna me qira dhe për këtë po i shkakton vetëm humbje financiare. 10 qiramarrës të pronave komunale nuk kanë paguar qiranë që nga viti 2008.
Kjo është identifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, gjatë auditimit për vitin 2018, raporton Ndërtimi.info.
Sipas këtij raporti, 41 qiramarrës kishin borxhe të pashlyera, madje 10 prej tyre nuk kishin paguar qiranë që nga viti 2008 dhe vazhdojnë ende t’i shfrytëzojnë pronat e komunës dhe në tri nga katër mostrat e testuara kemi vërejtur se kontratat ishin të skaduara dhe nuk ishte bërë azhurnimi i kontratave përderisa pronat vazhdojnë të shfrytëzohen nga qiramarrësit.
ZKA-ja thekson edhe arsyen e mos pagesës së qirasë nga shfrytëzuesit e pronave të Komunës së Istogut.
“Sipas menaxhmentit të Komunës arsyeja e kësaj sfide është fakti se në disa prona komunale ka pretendime se pronarët e tokave janë personat që ato toka i konsiderojnë si prona të tyre. Veprimet e menaxhmentit në eliminimin e këtyre kontesteve nuk ishin të mjaftueshme për ta ndryshuar gjendjen në menaxhimin e pronave të dhëna me qira”, thuhet në raport.
Madje, ky institucion ka theksuar se mos-menaxhimi adekuat i pronave komunale të dhëna me qira paraqet rrezik për Komunën e Istogut.
“Mungesa e kontrollit dhe mos aplikimi i masave adekuate pamundëson arkëtimin e të hyrave nga qiraja dhe rrit rrezikun e vjetrimit të kërkesave. Gjithashtu, edhe operimi me kontrata të skaduara privon komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e procedurave gjyqësore në raste të mos inkasimit të borxhit me kohë”, theksohet në raportin e ZKA-së.
Për këtë, ZKA-ja rekomandon të parin e Istogut,Haki Rugova, që të analizoj arsyet për menaxhimin jo të duhur të pronës komunale dhe siguroj se dhënia në shfrytëzim e pronës së paluajtshme komunale të bëhet vetëm atëherë kur janë plotësuar kërkesat ligjore konform rregullave. Gjithashtu, sipas ZKA-së, duhet te shqyrtohen në mënyra aktive të gjitha opsionet e mundshme, përfshirë edhe mjetet ligjore për të siguruar se të hyrat e dakorduara janë realizuar./Ndërtimi.info/