Aktuale
Punonjësit e ndërtimtarisë kërkojnë procedura të lehtësuara për leje për ndërtim

Ndërtuesit në Maqedoni kërkojnë nga Qeveria, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për shitjen e banesave deri në vitin 2023 të mbetet 5 për qind. Biznesmenët, anëtarë të Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE) thonë se nëse kthehet TVSH-ja në 18% do të shtrenjtohet çmimi i banesave në vend.
Të mos vijmë në situatë që në mënyrë plotësuese të shtrenjtohen çmimet e banesave me çka do të ketë edhe efekt të kundërt dhe zvogëlim të prodhimit të banesave. Qëllimi është që të prolongohet ai afat dhe kemi premtim se ajo do të përfundojë së shpejti – deklaroi Ivica Jakimovski – Kryetar i Odës së Ndërtimtarisë në LOEM.
Jakimovski thotë se nëse reduktohet ndërtimi i banesave, do të ketë rënie të të ardhurave në arkën e shtetit sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale, sepse kompanitë do të duhet të shkarkojnë punonjës. Nga kjo Odë kërkojnë që edhe kërkesat për ndërtim të merren sipas afatit ligjor prej njëzet ditësh, por gjithashtu edhe në një vend të dorëzohen dokumentet e tjera të nevojshme për ndërtim. Ata kërkojnë që edhe komunat t’i rishikojnë planet urbanistike të detajuara, dhe para se të japin banderolë për ndërtim, ajo duhet të jetë me plan dhe me infrastrukturë adekuate.
Qëllimi ynë është t’u dalim në ndihmë të gjithëve që kanë sugjerime. Në veçanti Odave, institucioneve si dhe ekspertëve të cilët i japin propozimet e tyre BNJVL-së, komunat t’i marrim parasysh kërkesat e tyre, në veçanti në lehtësimin e procedurave dhe në Ligjin për Ndërtim, por edhe në të gjitha dokumentet që i sjell ministria ose Parlamenti – deklaroi Goran Sugareski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Jakimovski thotë që standardet dhe cilësia duhet të jenë në nivel të lartë. Ai thotë se banesat që po ndërtohen në vendin tonë janë cilësore, por ata që kanë abuzuar me Ligjin dhe kanë importuar beton me cilësi të ulët duhet të sanksionohen. Sipas tij, inspektorët mund të shkojnë në terren në çdo kohë për të marrë mostra dhe për të kontrolluar cilësinë e ndërtesave të larta në të gjithë vendin.
Verica Pavlloska
