Aktuale
Punimet për shkallët e Dragodanit patën nisur nën të reshura të borës, tash asnjë punëtor
Më 21 mars, nën të reshurat e borës, patën nisur punimet për ndërtimin e shkallëve të reja në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Ato u patën ndërprerë po atë ditë për të vazhduar pas ndaljes së të reshurave, raporton “038” në KTV.
Katër muaj më pas, punimet ende nuk kanë përfunduar por projekti ka nisur të marrë formë.
Projekti në vlerë prej 270 mijë eurosh është paraparë të përfundojë për 120 ditë pune.
Megjithatë, aty nuk po punohet çdo ditë pune.
Të martën, përkundër se gjatë ditës nuk pati reshje, asnjë punëtor nuk u pa në punishte.
Megjithatë, ndryshe ishte gjendja të enjten. Aty u panë punëtorë që punonin në pjesën e poshtme të shkallëve.
Gjatë kësaj kohe, kalimtarët po gjejnë alternativa për t’u ngjitur e zbritur.
Derisa një pjesë e tyre mendojnë se punimet po shkojnë ngadalë, të tjerë e arsyetojnë këtë me atë se po punohet mirë.
Në Komunën e Prishtinës thonë se kushtet atmosferike u kanë shkaktuar probleme kohë pas kohe, por besojnë se do të arrijnë ta përfundojnë projektin me kohë.
Në njërën nga pushimoret është duke u ndërtuar edhe një lloj kulle e vrojtimit.
E përkundër se në projektin fillestar ka qenë i paraparë ndërtimi i mbikalimit në fund të shkallëve – mbi rrugën “Zagrebi”, është vënë në pikëpyetje nga drejtori i Investimeve Kapitale, Gëzim Mehmeti, qysh në ditën e parë të punimeve, për shkak të Unazës së Qytetit.




