Aktuale
Punimet në autostradën “Arbën Xhaferi” i detyruan tri familje t’i lëshojnë tokën dhe shtëpitë [video]
Sadat Burrniku bashkë me vëllezërit e tij sot lëshuan shtëpinë e tyre në ë Kovaçec. Të moshuarit, gratë e fëmijët i kanë strehuar më parë në farefis, e vet kanë qëndruar në shtëpi.Por, gjumin që e kanë bërë aty ka qenë plot ankth. Gjithë nata u ka shkuar duke përcjellur se a po lëviz toka.
Uran Haxha
Nga sot në Kovaçec do të jetojnë tri familje më pak. Ato janë detyruar t’i lëshojnë shtëpitë, pasi toka po u rrëshqet nën këmbët e shtëpitë e tyre. Siguria që ata të jetojnë në shtëpi është zero, raporton Ndertimi.info.
Gjendja në lagjen “Burrnik” është drithëruese. Humnera të vogla hapen nga lëvizjet e dheut, e të njëjtat mbyllen nga rrëshqitja e një pjese më parë.
Niveli i dheut të matur nga vet Ndërtimi.info para dy javës ka lëvizur për më shumë se një metër.
E për këtë, ai fajëson kompaninë “Bechtel-Enka”, e cila ka punuar më poshtë në trasenë e autostradës “Arbën Xhaferi”. Janë këta po të njëjtit që do t’ua paguajnë shpenzimet e strehimit për 6 muaj këtyre tri familjeve. Kjo nga Burrniku po konsiderohet si pranim faji.
Sadati kishte filluar një shtëpi ta ndërtonte, por ajo më nuk i duhet për asgjë. Përderisa para dy javësh kur Ndërtimi.info kishte xhiruar aty, ka pasur një çarje të lehtë të dheut nën të, sot ajo është e shtrembëruar dhe muret janë çarë.
Gjendja e rëndë është konstatuar edhe nga ekspertët e fondamenteve, të cilët janë nga Maqedonia dhe pas analizave u kanë bërë të ditur banorëve se aty nuk ka jetë.
E kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka thënë se shqetësimi i tyre ka qenë i madh, por ata do t’i ndihmojnë brenda kompetencave, së paku duke u shpejtuar procedurat për marrjen e dokumenteve për shpronësim, për disa orë.