Aktuale
Punëtori ra në koma pas rrëzimit, kompania thotë se po dramatizohet rasti
Puna në objektin e ri të çerdhes publike “Yllkat” në Prishtinë i ka kushtuar me lëndim një punëtori ndërtimtarie, si pasojë e rrëzimit nga skelet. Pas aksidentit ai është dërguar në QKUK në gjendje kome.
Punëtori i kompanisë “Nasa”, ishte duke punuar në ngjyrosjes e ambienteve të jashtme të objektit të çerdhes.
Besmir Musaj nga kompania “Nasa” ka thënë për Ndërtimi.info se punëtori ka pësuar një lëndim të vogël dhe për momentin është mirë në shtëpi.
“Mediat kanë shkru lidhje e palidhje. E ka pas një lëndim shumë të vogël. Gjendja e punëtorit është mirë dhe për momentin është në shtëpi”, ka thënë ai.
Ndërtimi.info ka provuar të marrë një deklaratë nga QKUK-ja për gjendjen shëndetësore të punëtorit, por nuk ka qenë e mundur.
Në fotot e publikuara nga vendi i aksidentit shihen punëtorët e kësaj kompanie pa helmeta. Por, Musaj për këtë fajtor i lë vetë punëtorët.
“Normal që ka pas skele e mjete mbrojtëse. Punëtorët nuk po i mbajnë helmetat, vetëm me ju qëndru mbi kokë”, është shprehur ai.
Tutje, Musaj ka shtuar se rasti i rrëzimit të këtij punëtorit është dramatizuar.
“Aksidentet ndodhin gjithkund, edhe t’u nejt në zyre mundet me na ndodhë me u rrëzu aksidentalisht. Punëtori ka qenë në katin e parë, në skelen e parë duke ngjyrosur. Ka ndodhë tash se edhe temperaturat e larta. U rrëzu, por jo tash edhe dramatizu gjithçka. Ai ka ra prej skeles së parë që nuk I ka as dy metra dhe tash me dramatizu”, ka thënë ai.
Ndërkaq, rastet e lëndimeve dhe të vdekjeve në vendin e punës në Kosovë nuk janë të rralla. Vetëm gjatë këtij viti 4 punëtorë kanë gjetur vdekjen në vendin e punës, ndërsa në vitin e kaluar janë shënuar 22 vdekje në vendin e punës. /Ndërtimi.info/