Aktuale
Punëtorët që rrezikojnë jetën duke montuar “kapriata” në Prishtinë [foto]

Një objekt që është në ndërtim e sipër në hyrje të Prishtinës, mund të jetë edhe vendi i fundit ku disa punëtorë do ta shijojnë në këtë jetë. Ata janë punëtorë të një kompanie që monton struktura hekuri dhe po rrezikojnë jetën në çdo sekondë.
Në adresë të Medias Ndërtimi kanë arritur fotografi të cilat pasqyrojnë punën pa lidhëse dhe pa asnjë mjet mbrojtës në dhjetëra metra lartësi, e duke ecur sikur “nëpër fije t’penit”.
Kjo gjendje, e cila mund të shihet edhe në fotografi, rrezikon seriozisht punëtorët. Ata përpos që nuk janë të lidhur në strukturat e shtrënguara për të qenë të siguruar në rast se rrëshqet, nuk shihet të kanë as helmeta në kokë, raporton Media Ndërtimi.
Por më tej është marrë vesh që kjo kompani kryen punë aty vetëm montimin e skeleve, por jo edhe punët e strukturave të metalit. Ato punë i kryen një kompani tjetër.
Objekti ku po punojnë punëtorët e kësaj kompanie është “ALBI Mall”. Ne kemi tentuar që të konaktojmë edhe me këtë kompani, nëpërmes numrit zyrtar në faqen zyrtare të AlbiGroup, mirëpo nuk është përgjigjuar askush, për të marrë informacion për kompaninë dhe masat që duhet marrë në këto raste nga ata si kontratues.
Jemi vetëm në muajin e shtatë të vitit dhe numri i vdekjeve të punëtorëve gjatë punës ka arritur në pesë, aq sa janë të deklaruar dhe evidentuar.
*Në këtë rast nuk ka pasur të bëjë fare Kompania “AB-BAJRAMI”, që ka qenë gabimisht e përfshirë në tekst. Nga redaksia e Medias Ndërtimi i kërkohet falje.
