Aktuale
Punëkryesi fajtor për vdekjen e Visar Behramit
Për më shumë se gjashtë orë kishte qëndruar në gërmadhat e hotelit ‘Adriatik’ në Mitrovicë.
E pasojat e këtij aksidenti të 22 prillit, ishin vdekjeprurëse për 28-vjeçarin, Visar Behrami, i cili po punonte në atë objekt, kur ndodhi edhe shembja.
Ndërkohë, pos Policisë e Prokurorisë, me këtë rast është marrë edhe Inspektorati i Punës.
E të gjeturat e këtij organi, tregojnë se në këtë punishte, nuk kishte kushte të sigurisë në punë.
Raporti i Inspektoratit të Punës nuk ka përfunduar tërësisht. Megjithatë ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit në këtë institucion, Valon Leci, tregon mangësitë procedurale nga ana e punëkryesit, raporton T7.
E tëra që kishin pasur kontraktori dhe nënkontraktoi kishte qenë një marrëveshje verbale, por asgjë që do të prodhonte efekt juridik.
E gjithë këto të dhëna drejtojnë gishtin kah punëkryesi.
Ai nuk kishte marrë masat e nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk kishte projekt për vlerësimin e riskut për punë, e madje punëkryesi kishte angazhuar persona fizikë të cilët nuk kishin asnjë lloj dokumentacioni që janë personat adekuatë për atë punë.
Krahas Inspektoratit, hetime për këtë rast është duke zhvilluar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Hetimet po vazhdojnë ende, ndërsa për një kohë pronari i objektit dhe punëkryesi kanë qëndruar edhe nën masa të sigurisë.
Kujtojmë se ngjarja e 22 prillit kishte filluar në kohën kur punëtorët – dëshmitarët A.M, M.M dhe S.H po pastronin objektin në katin e parë, viktima Visar Behrami kishte hipur në skelë dhe po prente shtyllën e katërt me radhë të katit të parë të objektit, në këtë moment punëtorët-dëshmitarët e vërejnë se po shembet një pjesë e objektit dhe fillojnë të ikin në drejtim të derës së hyrjes, ndërsa viktima nuk arrin që të ikë dhe i njëjti mbetet nën rrënojën e objektit, dhe pas disa orëve nxjerrët pa shenja jete.
Ndërtimi.info kishte përgatitur edhe një kronikë rreth kësaj ngjarjeje, të cilën mund ta gjeni më poshtë.