Aktuale
Publikohen fituesit e 30 lokaleve komunale me qira

Organet komunale të Prizrenit kanë shpallur listën e fituesve të ankandit publik për marrjen në shfrytëzim me qira të lokaleve që janë pronë e kësaj komune.
Komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit ka bërë të ditur se fituesit janë shpallur për 30 lokale, derisa për 8 sosh nuk ka pasur fitues, për shkak të mungesës së dokumenteve, mosaplikimit në ankand, dokumenteve jovalide apo mosfitimit të pikëve të duhura, shkruan sot Koha Ditore.
Ky komision ka bërë të ditur se lidhur me këtë çështje ofertuesit e pakënaqur kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.
“Komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në mbledhjen e tij të mbajtur më datën 14.1.2019, ka bërë vlerësimin e të gjitha ofertave të parashtruara nga ana e ofertuesve që kanë tenderuar në ankandin publik për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim me qira dhe ka shpallur listën përfundimtare të përfituesve. Ofertuesit e pakënaqur kanë të drejtë të parashtrojnë ankesat e tyre në komisionin e ankesave të formuar nga ana e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, në afat prej 15 ditësh nga dita e shpalljes së njoftimit”, ka njoftuar Zyra për Informim e Komunës së Prizrenit.
Komuna e Prizrenit në muajin nëntor pati shpallur ankandin për dhënien me qira të afër 40 lokaleve afariste, që janë në pronësi të kësaj komune. Në njoftim thuhej se Komisioni komunal për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim ka përcaktuar kushtet për pjesëmarrje si dhe kriteret për përzgjedhjen e ofertuesve.
