Aktuale
Pse u shuan 24 mijë vende pune në Kosovë brenda 1 viti?

Bizneset kosovare duket se do të mbesin pa punëtorë. Punësimi sezonal i kosovarëve nëpër vendet e tjera, po i kushton Kosovës me humbje të fuqisë punëtore. Për vetëm një vit, vendi ka humbur 24 mijë e 100 vende të punës. Numri më i madh i tyre ishin të punësuar në sektorin e pemëtarisë, prodhimit dhe tregtisë me pakicë. E në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se kompanitë duhet të krijojnë vende të dinjitetshme të punës, që të mos u ikin punëtorët për në shtetet e tjera, shkruan Gazeta Express.
Arditi nga Prishtina kishte më shumë se 2 vjet që punonte në një nga kafenetë e kryeqytetit. Por, ndonëse kalonte më shumë se tetë orë në punë, e punonte çfarëdo orari që i kërkohej, paga që merrte nuk po i mjaftonte.
Ai donte një punë e cila do t’i siguronte më shumë të ardhura, e në të cilën do i shpërblehej mundi që bënte.
Për këtë arsye, ai mori rrugën drejt Gjermanisë për punë sezonale. Njësoj sikur Arditi, vepruan shumë kosovarë.
Por, punësimi sezonal i kosovarëve nëpër vendet perëndimore i kushtoi Kosovës me humbje të fuqisë punëtore.
Shumë prej bizneseve mbetën pa punëtorë, e nuk kanë arritur t’i plotësojnë ende këto vende të punës.
Që nga tremujori i tretë i vitit 2017, Kosova supozohet t’i ketë humbur plot 24 mijë e 100 vende pune. E gjithë kjo sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi i ka thënë Gazetës Express se arsyeja kryesore se pse shumica e punëtorëve i kanë lënë vendet e punës në Kosovë është punësimi jashtë vendit.
“24 mijë e 100 vende të punës brenda një viti. Këtë e kemi marrë si shifër zyrtare prej ASK-së, tani na mbetet të bëjmë edhe një hulumtim shtesë për të ditur arsyet. Por, në bazë të bisedave me përfaqësues të bizneseve, është se një numër i madh kanë marrë viza pune dhe i kanë lënë vendet e punës, dhe bizneset nuk kanë arritur që ti mbushin këto vende të punës deri tash”, ka thënë Rukiqi.
Rukiqi deklaron se numri më i madh i tyre kanë qenë punëtorë në sektorin e pemëtarisë, prodhimtarisë dhe tregtisë me pakicë.
Derisa thotë se kompanitë duhet ta kuptojnë se është në interesin e tyre që të krijojnë vende të dinjitetshme të punës, apo në të kundërtën do të mbesin punëtorë.
“Në bazë të asaj që kemi biseduar me kompanitë, potenciali më i madh është te ai i tregtisë, prodhimi pemëtarisë, prodhimit dhe tregtisë me pakicë. Duhet të ua bëjmë me dije kompanive që është në interes të tyre që të krijojnë vende të dinjitetshme të punës, në mënyrë që punëtorët të mos i lëshojnë vendet e tyre të punës, dhe të kërkojnë punë jashtë Kosovës”, ka thënë i pari i OEK-ut për Express.
E përveç atyre që po ikin nga Kosova për punësim sezonal, edhe numri i kosovarëve që shkojnë drejt vendeve të huaja për shkollim e martesë është goxha i madh.
Për çdo vit nga vendi më i varfër në rajon largohen afër 10 mijë banorë. Por, vitin e kaluar kjo shifër është rritur edhe më shumë.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përmbledhura në raportin “Vlerësimi i popullsisë 2017”, numri i atyre që e kanë lëshuar Kosovën gjatë vitit të kaluar është 11 mijë e 263 persona, shkruan Gazeta Express.
“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2017 është vlerësuar të jetë gjithsej 11,263 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thotë raporti i ASK-së.
Pjesa më e madhe e atyre që u larguan nga Kosova për vitin 2017, ishin emigrantë legal. Ndërsa arsyeja e emigrimit ishte kryesisht për shkak të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtetet fqinjë), ose për studime afatgjata me punësim.
Nga sociologët numri i qytetarëve që kanë emigruar po konsiderohet si goxha i lartë.
Sociologu Besim Gollopeni i ka thënë Gazetës Express se arsyet kryesore se pse këta qytetarë po largohen nga Kosova janë gjendja e vështirë sociale dhe ekonomike, shkalla e lartë e korrupsionit, si dhe kërkimi i një jete më të mirë.
Gollopeni thotë se “meritat” kryesore për shkallën e lartë të emigracionit e ka klasa politike me “keq” udhëheqjen e vendit, por jo vetëm. Deklaron se një pjesë të përgjegjësisë e bart edhe vet populli.
“Kjo klasë politike arriti t’ia marrë (vjedhë) edhe shpresën e fundit qytetarit të saj se në këtë vend mund të ketë progres dhe perspektivë. Mirëpo, një fije përgjegjësie në këtë drejtim e mbart padyshim edhe vet populli. Për krejt këto vite, populli ka heshtur, ka qenë i pa interesuar dhe jo aktiv, ka heshtur karshi të këqijave që ju kanë kanosur, duke besuar se kjo situatë nuk është përgjegjësi e tyre dhe duke shikuar si zgjidhje të vetme të tyre emigracionin gjë që, kjo qasje është shumë e dëmshme dhe jo e favorshme për vet popullin”, ka thënë Gollopeni.
Ndërsa, për t’u ndryshuar kjo gjendje, Gollopeni thotë se duhet bërë shumë punë.
Por, si punë e parë ai thotë se duhet që të kthehet shpresa e humbur e qytetarëve.
“Gjenerimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i kushteve të punës sot për sot është një kërkesë legjitime dhe fondamentale pa të cilën njeriu nuk mund të ketë mirëqenie të plotë. Pastaj, ngritja e cilësisë së arsimimit, shëndetësisë dhe fushave të tjera, luajnë një rol të rëndësishme në uljen e shkallës së migracionit ndërkombëtar”, tha Gollopeni për Express.
Ndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe bazuar edhe nga të dhënat që janë siguruar nga vendet e BE-së, tregojnë se numri i shtetasve kosovarë, të cilët janë zënë me qëndrim të paligjshëm brenda territorit të shteteve anëtare të BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2016 ishte 11,370 persona.
Kjo tregon një rënie të dukshme të numrit në krahasim me vitet e shkuara sidomos me vitin 2015 që ishte 52,310 persona. Ndërsa vendi ku numri më i madh i kosovarëve janë zënë duke qëndruar jashtëligjshëm është Gjermania.
