Aktuale
PSD fillon nismën për krijimin e Gjykatës së Punës
Partia Socialdemokrate ka filluar një nismë ligjore për krijimin e një gjykate të punës. Sipas PSD-së, krijimi i kësaj gjykate është domosdoshmëri, marrë parasysh shkeljet e të drejtave të punëtorëve dhe numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura. Në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës thonë se kjo nismë është mirëpritur dhe apelojnë që gjykata e punës të jetësohet sa shpejt.
Shkelja e të drejtave të punëtorëve dhe numri i madh i lëndëve të pazgjidhura në gjykata, kanë bërë që Partia Socialdemokrate të iniciojë krijimin e një gjykate të punës. Ditë më parë, deputeti i PSD-së, Faton Topalli, tha se krijimi i kësaj gjykate do të ndikonte drejtpërdrejt në zgjidhjen e mijëra lëndëve dhe përmirësimin e të drejtave të punëtorëve.
“Gjykata e punës, siç është paraparë nga Partia Socialdemokrate, ka për objekt trajtimi vetëm konfliktet që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës, me qëllim që të rritet efikasiteti i gjykatave dhe të realizohen të drejtat e punëtorëve, për të cilat ata janë duke pritur me vite të tëra, pa i realizuar asnjëherë”, u shpreh Topalli.
Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, i tha Radio Kosovës se kjo nismë edhe pse e vonuar, është e mirëseardhur. Sipas tij, shkelja e të drejtave të punëtorëve në Kosovë është e lartë, ndërkohë që edhe gjykatat nuk po japin rezultatet e duhura.
“Janë grumbulluar shumë lëndë dhe punëtorët s’po mund t’i realizojnë të drejtat e veta dhe kështu drejtësia nuk po vendoset në vend. Ka lëndë që pret 10-15 vite dhe në fund parashkruhet. BSPK e përkrah nismën për themelimin e një gjykate të punës”, tha ai.
Edhe për Ehat Miftarajn, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është shqetësues numri i lëndëve të pazgjidhura dhe vonesat në trajtimin e tyre. Por, nëse ka vullnet, këto probleme mund të zgjidhen, thotë ai.
“Kjo mund të rregullohet në dy mënyra, qoftë duke e themeluar një gjykatë të punës apo duke krijuar departamente të veçanta brenda gjykatave themelore, ku do të trajtoheshin vetëm çështjet që dalin nga marrëdhënia e punës. Por, shumë e rëndësishme në këtë drejtim është që gjyqtarët të kenë përgatitje dhe eksperiencë për trajtimin e këtyre lëndëve”, tha Miftaraj për Radio Kosovën.
Për krijimin e një gjykate të punës nevojitet ndryshimi i Ligjit për Gjykata, të cilën nismë e ka filluar Partia Socialdemokrate. Ndërkohë që, krijimi i saj, po besohet se do të japë rezultate pozitive.