Aktuale
PSD e thërret në interpelancë ministrin Reçica për vdekjet në vendet e punës

Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate në Kuvendin e Kosovës kërkon që të thirret në interpelancë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në lidhje me vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës.
Në mocionin e këtij grupi parlamentar për interpelancë të ministrit Reçica si arsye përmenden vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës, transmeton Koha.net.
Vetëm gjatë 19 viteve të fundit kanë humbur jetën në punë 93 punëtorë, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.
Në të dhënat e Agjencisë së Statistikave ata nuk janë të regjistruar fare si kategori e veçantë. Thjesht ata nuk ekzistojnë as si numra, thuhet në arsyetimin e mocionit.
Jemi të vetëdijshëm që ka pasur dhe do të ketë fatkeqësi në punë edhe nëse masat e sigurisë bëhen optimale, por jemi gjithashtu të sigurt se numri i personave të vdekur nga fatkeqësitë në punë do të ishte shumë më i vogël.
Grupi Parlamentar i PSD-së ndër të tjera rekomandon që Kuvendi i Republikës së Kosovës të kërkojë nga Qeveria dhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave, në kuadër të Ligjit për Buxhetin vjetor të vitit vijues, në këtë rast për vitin 2019, të trefishojë numrin e inspektorëve të punës dhe krijimin e bazës ligjore që do të mundësonte një fond të përbashkët të punëdhënësve dhe punëmarrësve, i cili do t’u siguronte punëtorëve të Kosovës dhe familjeve një trajtim me dinjitet në rast fatkeqësie në punë.
