Aktuale
Provokon me Kosovën milioneri i ndërtimeve Boguljub Kariq, serbi i Pejës
Njëri nga njerëzit më të njohur në Serbi e Rusi, por jo pak i njohur edhe në Kosovë, Bogoljub Kariq ka provokuar për Kosovën.
Ai është vëllau i vogël i “Vëllezërve Kariq” që pejanët mund t’i kujtojnë sikur muzikantë shetitës, deri në futjen e tyre në biznes dhe ndihmën e dhënë nga ish-presidentit kriminel Sllobodan Millosheviq ata u bënë kryefjalë e ekonomisë.
Ata kishin hapur fabrikën e parë private pas pothuajse më shumë se pesë dekadash në Jugosllavinë socialiste, duke u shtrirë edhe në Rusi. Ata kanë një gamë të gjerë biznesesh, duke përfshirë edhe media, por ndërtimin e kanë tashmë kryesor.
Projekte të shumta i kanë në proces ndërtimi, si në Serbi, Bjellorusi, ashtu edhe në Rusi. Te kjo e fundit ka jetuar deri në vitin e kaluar pasi ishte arratisur nga një skandal gjatë regjimit të Millosheviqit me telefoni mobile. Tashmë Boguljub Kariq përkrah presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Kariq në llogarinë e tij në Facebook ka publikuar një mesazh dhe një fotografi përpara disa shkronjave të mëdha që formojnë emrin “Kosova dhe Metohija”.
“Atje ku jeni lindur, në qytetin tuaj, në fshatin tuaj, atje janë rrënjët tuaja, atje është shpirti juaj. Është pikërisht atë që ka thënë Jesusi, se jemi të lidhur me tokën dhe vendin ku kemi lindur… Për këtë sa herë që jamë në Kosovë, ndjej si më zgjerohen mushkëritë, zemra rrah, shpirti im gëzon e energjia është e padukshme”, shkruan Kariq, teksa më poshtë lëshohet në krahasime poetike për Pejën.
“Të pakëta janë ujëvarat e Niagarës kur krahasohen atë çka ndjen njeriu kur vjen në qytetin e tij, në fshatin e tij. Kur shoh ende ‘Jerusalemin serb’, Patriarkanën e Pejës, çdo gjë brenda meje gjallërohet me lumturi e dashuri”, shkruan Kariq.