Aktuale
Protestohet për numrin e madh të vdekjeve në vendin e punës

Më 10 tetor në Prishtinë do të mbahet protestë kundër vdekjeve në vendin e punës me moton “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona”.
Njoftimi për protestë vjen pak orë pasi një punëtor i një kompanie ndërtimi vdiq në vendin e tij të punës, të shtunën në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit.
Kompania e as familja s’flasin për vdekjen e punëtorit në Arbëri
Protesta fillon në ora 11:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti” dhe vazhdon në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Ky është njoftimi i “Beyond the Wall” për këtë protestë:
93 Persona, 93 Helmeta, 93 Emra. Helmeta me emrin e çdo të vdekuri në vendin e punës do të vendoset në rrethojat e qeverisë. Secili rast që zbardhet helmeta bashkë me emrin e të vdekurit në vendin e punës largohet nga rrethojat e qeverisë, për çdo të vdekur në vend të punës shtohet një Helmet në rrethojat e qeverisë. Nëse qeveria i largon Helmetat pa u zbardhur rastet, nënkupton që ajo po pajtohet me vdekjet, ne do gjejmë mënyra tjera për t’ua rikujtuar gjithmonë. Kërkoj mbështetjen e 92 personave që fizikisht ta përkrahin një protestë, ne jemi te vetëdijshëm që punëtoret nuk mund të bashkëngjiten, por kërkoj nga ju që keni mundësi të bashkëngjiteni dhe të jemi zëri i tyre, t’u dalim në mbrojtje, numri i rasteve tragjike do shtohet edhe shumë nëse ne rrimë duke i numëruar. Mjaft qëndruam me kalkulator në duar, shpejt nuk do ketë kalkulator që numëron të vrarët, e vrasësit nuk do të ndalen se ngrituri pallate mbi djersën , gjymtyrët dhe gjakun e punëtorëve. Ta ngrisim zërin para se të jetë vonë, para se zëri ynë të mos mund te ngritët, para se në apo familjarët tanë të numërojnë sekondat deri në përplasjen me tokën. Të Mërkurën 10.10.2018 Ora 11:00 Sheshi: “Zahir Pajaziti” – Sheshi: “Skenderbeu” Të bashkohemi dhe te jemi zëri i tyre. Gjeni mënyrë te jeni te pranishëm te Mërkurën, nëse ju nuk mundeni njoftoni shokët/shoqet tuaja.
