Aktuale
Protestë virtuale për hapjen e restaurantit në Kalanë e Vushtrrisë
Pas dhënies në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë për hapje të një restaurant brenda kalasë,ka filluar edhe një organizim kundërshtues në rrjetin social “Facebook”, me faqen e hapur “Qytetarët në mbrojtje të Kalasë”, teksa kanë bërë një fotografi në të cilën paraqitet kalaja me mbishkrimin “Mos ma prek Kalanë!”.
Ata gjithashtu kanë lëshuar edhe një komunikatë për medie, të cilën mund ta lexoni më poshtë:
Mos ma prek Kalanë!
Ftesë për protestë qytetare
Të dashur qytetarë,
Instituti Regjional për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore përmes një vendimi të dates 07.07.2017, ia ka dhënë Kalanë e Vushtrrisë, monumentin kryesor kulturor dhe historic të rajonit, një biznesmeni me emrin Mentor Salihu. Kalaja është dhënë në shfrytëzim për 5 vite dhe brenda këtij afati ajo do të funksionoj si një restorant privat. Deri në vendimin e Institutit Kalaja ka qenë një ndër hapësirat e pakta publike, në dispozicion pë zhvillimin e seminareve, aktiviteteve kulturore, edukative e sociale për të rinjtë e Vushtrrisë por edhe organizata të ndryshme jo-qeveritare. Me vendimin e Institutit, kinse, për mbrojtjen e monumenteve kjo hapësirë I është marrë qytetarëve dhe i është dhënë familjarëve të kryetarit të komunës së Vushtrrisë nga radhët e PDK-së, z.Bajram Mulaku. Biznesmeni Mentor Salihu del të jetë I biri I dajës së kryetarit Mulaku, i cili në vend se të punojë për të mirën e qytetarëve dhe të krijojë hapësira publike për ta, duket se po vazhdon avazin e partisë së tij për të rehatuar dajtë duke lejuar që e vetmja hapësirë funksionale publike e Vushtrrisë t’u ipet atyre në mënyrë që ata si individë të përfitojnë materialisht.
Praktikat e deritashme të dhënies së objekteve të trashëgimisë të Vushtrrisë në shfrytëzim kanë treguar se janë të dëmshme. Ura e gurit, një ndër monumentet më të rëndësishme të këtij qyteti po ashtu është dhënë në shfrytëzim për biznes privat, respektivisht ndërtimin e një restoranti afër saj dhe si rezultat i mosmirëmbajtjes po këtë vit Ura ka pësuar dëmtime serioze.
Një monument tjetër që nuk gëzon trajtim të mirëfilltë është edhe qeshmja e vjetër e qytetit, të cilës komunarët tone kanë lejuar t’iu ngjitet një objekt banesor.
Të nderuar qytetarë, nëse Instituti për mbrojtjen e kësaj trashëgimie e sheh të arsyeshme që përmes vendimeve të tilla t’u privoj qytetarëve shfrytëzimin e këtyre objekteve për aktivitete edukative pa kërkuar mendimin e shumicës, apo pa procedurë të rregullt atëherë na mbetet neve që përmes reagimeve që lejohen brenda kornizave ligjore ta stopojmë këtë vendim dhe shkatërrimin e trashëgimisë sonë.
Ne, një grup qytetarësh të këtij qyteti të shqetësuar për fatin e kalasë së qytetit tone kërkojmë nga ju që të na bashkoheni në iniciativën e nisur në mbrojtje të Kalasë duke vënë logon e iniciativës në coverin tuaj dhe duke shpërndarë njoftimet që do t’i bëjmë për protestën të cilën do ta mbajmë nëse institcuionet nuk përfillim kërkesat që do t’iu dorëzohen edhe me shkrim, për ta stopuar hapjen e restorantit në Kalanë e qytetit tonë.
You must be logged in to post a comment Login