Aktuale
Protestë në Deçan për një zgjidhje të përshtatshme rreth Manastirit
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/manastiri-3.jpg)
Në Deçan do të organizohet protestë, në lidhje me vendimin e Gjykatave dhe pas thirrjeve të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar që Manastirit të Deçanit t’i jepen toka.
Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, e mbajtur dje, dhe deklaratës së përbashkët të të gjitha subjekteve politike, sot me iniciativën e të gjitha subjekteve politike, Komunës së Deçanit, përfaqësuesve të shoqërisë civile në Deçan dhe shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së, protesta është thirrur për datën 6 qershor.
“Të shqetësuar me zhvillimet e fundit, rreth kontestit në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit të Deçanit, të gjithë u dakorduan që me dt. 06 qershor 2019, në ora 12:00, të organizohet protestë paqësore, ku objektiv kryesor do të jetë ftesa dhe kërkesa për Manastirin e Deçanit, që ky kontest të përfundojë në të mirë të dy palëve”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Deçanit.
“Një zgjidhje e përbashkët e cila do të bënte që të ndihej mirë edhe Manastiri i Deçanit dhe Qytetarët e Deçanit”, thuhet më tej në komunikatë.
Kujtojmë se dje, asamblistët nga të gjitha partitë politike njëzëri kanë thënë se vendimi i Kushtetueses i viti 2016, i cili thotë se 24 hektarë tokë i takojnë Manastirit e jo Komunës, ishte skandaloz.
Sipas tyre, ky vendim e izolon këtë komunë dhe ua shuan shpresat qytetarëve se do të ketë zhvillim ekonomik. Pas këtyre fjalimeve , u formua një komision, i cili doli me një deklaratë të përbashkët, që u miratua me vota unanime.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)