Aktuale
Protesta tek “Unaza e Re” në Tiranë, protestuesit përplasen me policinë

Protesta e banorëve të Unazës së Re në Tiranë u shoqërua me përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Disa prej banorëve shembën rrethimin që i ishte vendosur nga firma territorit ku do të ndërhyhet për të ndërtuar Unazën e Madhe.
Banorët kërkojnë dëmshpërblim të plotë të banesave dhe shprehen se nuk do të tërhiqen.
Situata u tensionua edhe më shumë pas shoqërimit në komisariatin e policisë të më shumë se 10 protestuesve. Mes tyre mësohet se është edhe një 17 vjeçar.
Në një moment për të qetësuar situatën ka ndërhyrë deputeti i PD-së Klevis Balliu. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë marrë në ruajtje kantierin e Unazës se Re, duke krijuar një gardh dhe duke mos lejuar banorët të pushtojnë sheshin.
Qytetarët kanë mbajtur në duar edhe flamuj shqiptarë dhe amerikanë dhe kanë bërë thirrje kundër qeverisë e kryetarit të Bashkisë.
Dita e 16-të e protestës u mbyll, por banorët e Unazës së Re kërkojnë që të lirohen të shoqëruarit dhe shprehen se nuk do të lejojnë prishjen e shtëpive të tyre.
Ora 18:16 Mbi 10 të sbhoqëruar në polici
Banorët flasin për mbi 10 protestues të shoqëruar nga policia, një prej tyre është 17 vjeç. Ata pretendojnë se shoqërimi është bërë me dhunë. Ata paralajmërojnë se do vijojnë bllokimin e rrugës deri në lirimin e tyre.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga policia. Në zonë ka prezencë të shtuar të forcave të policisë së rendit si dhe atyre të FNSH-së.
Ora 18:04 Banorët djegin koshat e plehrave
Banorët i kanë vënë flakën kontenierëve të plehrave. Tensionet mes banorëve dhe policisë vazhdojnë. Protestuesit kërkojnë të prishin të gjithë rrethimin e firmës ndërtuese, ndërsa policia është bërë kordon para tij.
Ora 17: 45 Policia ka shoqëruar 6 protestues
Protestuesit thonë se policia ka shoqëruar 6 persona, mes tyre dhe një 17 vjeçar.
“Mos na provokoni, lironi çunat”, janë disa nga thirrjet e banorëve.
Ora 17:40 Balliu: Nuk ua ka fajin policia!
Deputeti demokrat, Klevis Balliu, i pranishëm në protestë, u ka bërë thirrje banorëve të mos krijojnë incidente me policinë.
Balliu: Nuk e ka fajin policia, asnjëri prej jush këtu nuk e ka me policinë e shtetit.Ju doni shtëpitë tuaja, jeni në të drejtën tuaj, u mbron ligji, u mbështesin qytetarët shqiptarë. Por fajin nuk jua kanë këta policë që janë këtu duke bërë detyrën e vet, mos krijoni përplasje me policinë e shtetit, janë në mbështetje tuaj për t’ju mbrojtur ju.
Nëse ka të shoqëruar dhe ndaj tyre është ushtruar dhunë do të mbahet përgjegjësi. I bëj thirrje policisë së shtetit të tërheqë këta trupa këtu për të normalizuar situatën. Kemi informacion që janë shoqëruar disa persona, i kërkojmë policisë së shtetit ti lirojë urgjentisht.
Ora 17:35 Tensionohet situata tek Unaza e Re. Banorët kanë prishur rrethimin e një prej firmave të ndërtimit që do të ndërtojnë projektin e Unazës së Re.
Kanë ndërhyrë forcat e policisë, duke i larguar nga rrethimi. Ka konfrontim mes banorëve, efektivë të policisë dhe atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Ndërkohë vazhdimisht nga protestuesit hidhen kapsollë.
Rama t’i vërë gishtin kokës
Banorët e zonës së “Astirit” bllokuan edhe pasditen e sotme rrugën tek Unaza e Re.
Banorët treguan se një punonjës i policisë u ka shkuar tek disa prej tyre dhe i ka lajmëruar ata të zhvendosin automjetet që i kanë në oborret e banesave të tyre sepse aty do të ndërtohet një shesh ku do të qëndrojnë fadromat dhe makineritë e tjera që do të merren me ndërtimin e Unazës së Madhe të kryeqytetit.
Protestuesi: Vazhdojnë provokimet minutë pas minute.Edhe me tanke nuk do i prishin dot këto shtëpia. Si do të veprojmë askush nuk e di. Nëse këtyre banorëve u ka ikur truri, ai duhet ti vërë gishtin kokës.
Ndërkohë sot banorët kanë dorëzuar në prokurorinë e Tiranës një padi ndaj kryebashkiakut Veliaj për fyerje. Ndërsa ARRSH ka ftuar në bisedime një përfaqësi të tyre.
Banorët e Astirit nuk kundërshtojnë projektin, por mënyrën sesi po sillet qeveria dhe bashkia për zhvendosjen e tyre.
Ata thonë se proptesta do të vazhdojë deri në marrjen e një zgjidhje për dëmshpërblimin 100% të banesave.
Kjo është dita e 16 e protestës nga banorët dhe në mbështetje të tyre janë edhe deputetë të PD-së dhe LSI-së.
Braimllari: Qeveria të mos luajë me këta banorë, por të vinë këtu dhe tu japin zgjidhje. Banorët duan një orë e më parë zgjidhje.
Shikoni të gjitha FOTOT duke klikuar këtu
