Aktuale
Pronat nuk tatohen as sivjet sipas cilësisë së tyre

Edhe pse ka ekzistuar Udhëzimi Administrativ nr.03/2011 për tatimin e një prone sipas cilësisë se saj, Komuna e Pejës as vitin e kaluar nuk e ka zbatuar këtë udhëzim.
Sipas tij, parashihet të mblidhen dhe regjistrohen informatat mbi pronën dhe tatimpaguesit që duhet të klasifikohet gjendja e objekteve sipas faktorit të cilësisë së ndërtimit e shprehur në koeficient, e cila varësisht prej gjendjes së objektit, shumë e dobët, e dobët, mesatare, e mirë dhe e shkëlqyeshme, rrit apo e zvogëlon ngarkesën tatimore, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo është gjetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë auditimit të Pasqyrave Financiare Vjetore të Komunës së Pejës për vitin 2017.
Sipas Auditorit të Përgjithshëm, Zyra Komunale e Tatimit në Pronë nuk ka marrë parasysh cilësinë e objekteve me rastin e kalkulimit të ngarkesës tatimore.
“Mosklasifikimi i gjendjes së objekteve mund të ndikojë që ngarkesa tatimore të mos jetë në përputhje me gjendjen reale të pronës, ku si rezultat tatimpaguesit të cilët kanë cilësi më të dobët të pronës të mbingarkohen me tatime, apo tatimpaguesit me cilësi më të mirë të pronës të ngarkohen më pak sesa duhet. Kjo gjithashtu mund të ketë ndikim në të hyrat e realizuara nga tatimi në pronë”, ka ngritur si rrezik këtë gjetje Auditori, i cili i ka rekomanduar kryetarit të Komunës se duhet të siguruar se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për kalkulimin e drejtë të ngarkesave tatimore ndaj taksapaguesit duke aplikuar kriterin e cilësisë se objekteve në përputhje me koeficientet e përcaktuar nga ligjvënësi.
