Aktuale
Pronat e shqiptarëve në Karaçevë që KFOR-i ia “fali” Serbisë

Banorët e brezit kufitar të fshatit të Karaçevës nuk po ndihen rehat në vendbanimet e tyre. Tash e disa kohë, në brendi të fshatit po patrullojnë xhandarmëria serbe, shkruan lajmi.net.
Ata po ankohen se KFOR-i, me anë të vendosjes së kufirit administrativ mes Kosovës dhe Serbisë, ua la shumë prona në territorin e Serbisë.
Me të hyrë në këtë fshat, përveq pamjes piktoreske, në horizont mund të vërehet edhe “Bypass-i” i vendosur nga KFOR-i.
Ky Bypass e përfshinë vendin e quajtur “Ugari” e deri tek “Varret e Spahoviqe”.
Nëse shihet ana gjeografike, Kosovës i rrëmbehen 20 mijë hektar tokë.
Kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës, Selver Lenjani, duke folur për lajmi.net thotë se banorët jetojnë të terrorizuar nga prania e forcave serbe në këtë fshat, në të cilin ai thotë se nuk jeton asnjë pjesëtar i komunitetit serb.
Për këtë problem, ai thotë t’u kenë shkruar të gjithë krerëve shtetërorë, mirëpo se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Letër ai thotë se u ka dërguar edhe ekipit negociator, e as nga këta të fundit nuk mori diçka konkrete.
Por, nuk e mohon mundësinë që shqiptarët e kësaj ane t’i mbrojnë trojet e tyre, madje edhe me forcë.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në komunën e Kamenicës.
Nga kjo e fundit, thonë se kanë qenë të shqetësuar me situatën e krijuar në këtë fshat, por se thonë se e njëjta nuk është kompetencë e komunës së Kamenicës.
Sipas tyre, situata e tillë është mundësi e madhe për tensione.
“Pronësia e atyre pronave nuk është kontestuese. Banorët kanë të drejtën e tyre ligjore të shfrytëzimit të atyre pronave por që kjo nuk guxon të pamundësohet nga provokime të tilla”, thuhet në përgjigjen e komunës së Kamenicës.
E duke i konsideruar institucionet e Kosovës të pafuqishme, Kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës thotë se nuk do të heqin dorë asnjëherë nga e drejta e tyre.
Deri në një zgjidhje përfundimtare, Karaçeva vazhdon të jetë e ndarë në Kosovë e Serbi.
