Aktuale
Pronarët padisin shtetin për rrënim të monumenteve, Qeveria i shpronëson

Pasi vetë institucionet shtetërore kanë rrënuar pa pëlqim dy asete të trashëgimisë kulturore në fshatin Reçicë të Podujevës, tashmë Qeveria ka marrë vendim për shpronësimin e parcelave në të cilat ndodhen.
“Kulla e Demë Ahmetit” dhe “Shtëpia e banimit, pronë e Sabit Hamitit” në fshatin që gjendet fiks 25 kilometra larg Podujevës, ishin rrënuar në shtator të vitit 2017. Monumentet e shekullit XX që mbroheshin si asete në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme me numra rendorë 1040 dhe 1041 janë rrënuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës. Në atë hapësirë kishte nisur ndërtimi i kompleksit memorial “Demë Ahmeti”, ku edhe janë ngritur objektet e rrënuara, por nuk është ruajtur autenticiteti i tyre, për çka edhe mbroheshin.
Në dhjetor të vitit të kaluar, pronarët kanë bërë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Dega në Podujevë. Po në dhjetor, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një vendim preliminar për shpronësimin e parcelave, ku ndodhen objekti bashkë me Mullirin e Demë Ahmetit, që, po ashtu, është aset i trashëgimisë kulturore në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në janar, pronarët i janë “përgjigjur” Qeverisë me një kërkesë për caktimin e masës së parakohshme të sigurisë. Edhe këtë ia kanë drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Podujevë.
Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se MKRS-ja nuk ka kërkuar shpronësim.
Ahmeti njihet si kryengritës kundër pushtuesve, i cili aktivitetin e tij e zhvilloi në fund shekullit XVIII e në fillim të shekullit XIX.
