Featured
Pronarët kushtëzojnë shtetin ta blejë ose të heqë dorë nga monumenti

Pronarët e Shtëpisë së Hynilerëve kanë gati dy muaj që presin përgjigje nga Ministria e Kulturës. Me arsyetimin se shtëpia është në gjendje të rëndë dhe paraqet rrezik, kanë kërkuar që t’i hiqet statusi i monumentit. Tash kërkesa është edhe më e prerë: shteti ose duhet ta blejë ose të mos e mbrojë më si monument objektin që gjendet në lagjen “Dodona”në Prishtinë.
Por pavarësisht se Ministria e Kulturës nuk u ka kthyer përgjigje, ky institucion ka plane të tjera për monumentin që daton nga shekulli XIX. Fatmire Hyniler, e cila më 7 shkurt të këtij viti, ka dorëzuar kërkesën në Ministrinë e Kulturës, të njëjtën e ka dërguar edhe në Komunën e Prishtinës, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Kurrfarë përgjigjeje nuk ma kanë kthyer. Nuk kam çfarë të shkoj më atje. Ata duhet të më kthejnë përgjigje. Jam duke shikuar të bëjmë diçka edhe me Komunën. Edhe në Komunë u kam thënë: ‘Ose blijeni, ose largojeni nga Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme’”, i ka thënë të dielën gazetës, Hyniler. Sipas saj, më së miri do të ishte sikur shteti ta blinte njërën prej shtëpive të vjetra qytetare të Prishtinës.
“Unë ju kam treguar që jam për ta shitur pasi nuk jam pronarja e vetme”, ka thënë ajo.
Por sipas Ministrisë së Kulturës, ky institucion do të kujdeset për gjendjen e shtëpisë. Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Vjollca Aliu, ka thënë se gjatë ditëve në vazhdim do ta kenë një takim me njërën prej pronarëve të monumentit, Fatmire Hyniler.
