Aktuale
Pronarët e lokaleve “Te Kafet e Vogla” ankohen se punimet në rrugë po u sjellin humbje në biznese

Pronarët e lokaleve në rrugën “Fehmi Agani” (e njohur si “Te Kafet e Vogla”) kanë paraqitur pakënaqësitë lidhur me humbjet që po u shkaktohen si pasojë e punimeve që po bëhen në këtë rrugë nga Komuna e Prishtinës.
Veton Zuka, përfaqësues i lokaleve, ka thënë se janë dëmtuar dhe lodhur gjatë kësaj kohe sa po zhvillohen punimet në rrugë.
Ai ka kërkuar nga komuna ndonjë kompensim, varësisht nga mundësitë dhe rregullat ligjore që përcaktojnë një gjë të tillë.
Zuka ka shtuar se është mirë që janë duke u zhvilluar këto punime, mirëpo janë të shqetësuar lidhur me atë se kur do të përfundojnë.
“Kemi dalë të sqarojmë me drejtorin dhe të kemi një informatë se çka është puna e punimeve, jemi pak të shqetësuar se jemi dëmtuar gjatë kësaj periudhë dhe realisht janë lodhur edhe klientët e është lodhur edhe mëhalla”, është shprehur Zuka.
Gëzim Mehmeti, Drejtor i Investimeve Kapitale në komunën e Prishtinës, ka thënë se komuna ka bashkëpunim të mirë me këto lokale.
Ai ka thënë se punimet janë në ditën e 34-të, kurse projekti është i paraparë të përfundojë me gjithsej 60 ditë.
“Jemi në ditën e 34-të të punës dhe sipas kontratës ky projekt do të përfundojë në 60 ditë pune. I kuptojmë brengat dhe hallet e lokaleve për këtë arsye jemi duke u munduar që në fillim të muajit të përfundojë asfaltimi por është në interes të lokaleve”, ka thënë Mehmeti nga vendi ku po zhvillohen punimet.
Sa u përket lehtësimeve nga komuna, ai ka thënë se së pari duhet të bëhet kërkesa zyrtare në komunë, sepse nuk e di se çfarë lehtësira mund të ketë.
