Aktuale
Promovohet libri “Lexim filozofik i arkitekturës”, i autorit Astrit Salihu

Në shtëpinë e librit në Prishtinë, në Librarinë Dukagjini, në një ambient tejet të ngrohtë, u promovua libri “Lexim filozofik i arkitekturës” nga Astrit Salihu, shkruan Ndërtimi.info.
Të pranishëm për të folur rreth librit, përveç autorit, ishin edhe Hasnije Ilazi nga Shoqata e Filozofëve të Kosovës të cilët ishin botues të librit, Muhamedin Kullashi profesor, Florina Jerliu profesoreshë e arkitekturës dhe Labinot Kelmendi asistent.
Autori iu drejtua dashamirëve të librit dhe arkitekturës duke treguar rreth arsyes së librit të tij për të cilin kishte disa vite që ishte duke punuar e hulumtuar.
“Unë nuk vij nga fusha e arkitekturës kështu që kam pas shumë problem deri sa kam ardhur te një koncipim më i pranueshëm për botim. Arsyeja që jam futur në këtë fushë vjen edhe nga ajo që unë kam dhënë një kohë ‘Filozofi të arkitekturës’ në Fakultetin e Arkitekturës dhe të them të drejtën atje kam pa një mungesë të mendimit rreth arkitekturës, më shumë kemi pasur orientime të një funksionalizmi brutal duke u përpjekur që studentët t’i formësojmë vetëm në aspektin teknik, duke mos i fut edhe në refleksionet pak më të gjera që të kontekstualizohen edhe veprat arkitektonike”, tha ai.
Më tej ai tregoi se profesoresha e arkitekturës Florina Jerliu, kishte marrë një nismë të saj për të punuar disa revista me studentët, në përpjekje të nxitjes së reflektimeve nga ta, dhe tha se shpreson që libri i tij të jetë një kontribut në këtë drejtim.
“Natyrisht më vonë, pasi që unë kam dalë nga ai fakultet, kam parë një nismë tek Florina, e cila punonte me disa revista me studentët rreth përpjekjeve që të reflektojnë rreth teorive të arkitekturës, gjë që unë e kam marrë si shenjë pozitive që ndoshta edhe po lëvizin gjërat. Besoj që kësaj nisme të profesoreshës t’i jetë një kontribut i vogël edhe libri im”, u shpreh Salihu.
Profesori Muhamedin Kullashi theksoi se ky nuk është libri i parë i Astrit Salihut, por veprën e tij të re ai e cilësoi si një hulumtim të thellë në filozofinë e arkitekturës.
Ndërsa profesoresha Florina Jerliu tha se arkitektët qysh herët janë frymëzuar nga filozofia.
“Arkitektët lexues të këtij libri e kuptojnë më mirë se kurdoherë më parë se qasja holistike – multi – disiplinare në debatin mbi arkitekturën dhe mjedisin e dëmtuar është e domosdoshme për të adresuar tema të mëdha si: qyteti në tranzicioni, qyteti global, ngrohja globale, rritja urbane, migrimi etj. Dashur e pa dashur, mjedisi i ndërtuar është kthyer në brengë globale dhe në këtë kuadër arkitektura sfidon limitet e veta vetjake dhe rolin e saj në shoqëri”, tregoi Jerliu.
Libri tani mund të gjendet në Librarinë Dukagjini në Prishtinë.
