Aktuale
Projekti për Muzeun e artit bashkëkohor – 12 vjet i harruar
Muzeu i artit bashkëkohor është një nga projektet e Ministrisë së Kulturës që ka mbushur më shumë se një dekadë që qëndron në sirtar. Krahas kësaj, janë bërë 12 vjet prej kur institucioni më i lartë kulturor në vend çdo vit ndan buxhet duke e renditur këtë si projekt kapital. Janë të paktën tri hapësira që janë përmendur për ta ndërtuar Muzeun e Artit Bashkëkohor, por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret.
Në vitin 2007, Ministria e Kulturës kishte paguar 20 mijë euro për projektimin e ndërtesës, që ishte bërë nga arkitekti Bujar Demjaha. Konkretizimi i tij qe llogaritur të kushtonte mbi 5 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Por prejse është projektuar, punët rreth këtij projekti nuk kanë shkuar mirë. Tash, kur institucionet kanë dështuar që t’i mbajnë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” qe dakorduar që të ndante tokën brenda kampusit të vet për ndërtimin e tij. Por Ministria e Komuna e Prishtinës prej vitit 2011 akuzojnë njëra-tjetrën se ndërtimi nuk po nis. Fillimisht UP-ja kishte ndarë lokacionin për ndërtimin e Muzeut në trekëndëshin midis Galerisë Kombëtare të Arteve, kishës ortodokse të ngritur pa leje dhe Bibliotekës Kombëtare, por e njëjta hapësirë kishte dalë të jetë më e volitshme për ndërtimin e Fakultetit të Edukimit, që është ngritur në gjashtë kate.
Tash Ministria e Kulturës, që për këtë vit ka ndarë 50 mijë euro për këtë projekt, nuk e ka idenë se çfarë do të bëjë.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, të mërkurën i ka thënë gazetës se projekti do të ecë përpara. Por ai nuk ka pasur një përgjigje konkrete se çfarë do të bëhet.