Featured
Projekti më i madh për tatimin mbi ndërtimet, në vitin 2020
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/10/banesat.jpg)
Kadastra fiskale, projekti më ambicioz në reformimin e taksës së pronës, i cili synon t’i sjellë më shumë të ardhura pushtetit vendor, pritet të finalizohet në vitin 2020.
Kjo do të thotë që dy vite: 2018 dhe 2019, do të shërbejnë si vite tranzicioni për ndërtimin e kësaj kadastre, por edhe për edukimin e qytetarëve me formulën e re të taksimit të pasurive të paluajtshme.
“Baza e taksës mbi ndërtesat është vlera e ndërtesës, që llogaritet në përputhje me metodologjinë dhe procedurat e përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave”, – është ky përcaktimi që bën qeveria në projektligjin për ndryshimin në taksat vendore.
Vitin e ardhshëm taksimi do të bëhet vetëm për ndërtesat, ndërkohë që toka bujqësore dhe toka truall do të taksohet me modelin e vjetër, shkruan shqiptarja.
Në Paketën Fiskale të vitit 2018, qeveria ka zyrtarizuar se shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon dhe 0.15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike. Taksën për ndërtesën duhet ta paguajnë individët, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë të pasurive të paluajtshme, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave.
Por taksën do ta paguajnë edhe ata të cilët nuk kanë marrë në dorë një dokument ligjor për legalizimin, por kanë aplikuar në këtë proces. Të paktën 350 mijë ndërtime janë në proces legalizimi dhe ende nuk kanë marrë leje.
Në momentet e fundit qeveria rriti numrin e atyre që do të paguajnë duke shtuar edhe ndërtuesit që nuk kanë respektuar afatet për lejen që kanë marrë. Sipas përcaktimit në draft kjo kategori do të paguajë 30% e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi. Kjo është bërë me argumentin e nxitjes së ndërtuesve në respektimin e afateve të lejeve që përfitojnë.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)