Arkitekturë
Projekti mahnitës i Zaha Hadid Architects për kursimin e energjisë
KAPSARC është një institucion jofitimprurës për hulumtime të pavarura në politika që kontribuojnë në përdorimin më efektiv të energjisë për të siguruar mirëqenien sociale në të gjithë globin.
KAPSARC (King Abdullah Petroleum Studies and Research Centre) zhvillon politika dhe korniza ekonomike që ulin ndikimin në mjedis dhe koston e përgjithshme të furnizimit me energji dhe u mundësojnë zgjidhjeve të bazuara në teknologji përdorimin e energjisë në mënyrë më efikase.
Kampusi KAPSARC prej 70 mijë metra katrorë përfshin pesë ndërtesa: Qendra e Informacionit për Energji, Qendra e Informatikës Energjetike, një Qendër Konferencash me sallën e ekspozitës dhe 300 ulëse, një Bibliotekë Kërkimore me arkiva prej 100 mijë vëllimeve, dhe Musalla, një hapësirë për lutje brenda kampusit.
Si projekti i parë i “Zaha Hadid Architects” për të marrë certifikatën LEED Platinum nga Këshilli Green Building i SHBA-së, qendra është projektuar në përgjigje të kushteve mjedisore të Plateau Riyadh për të minimizuar konsumin e energjisë dhe burimeve.
Strategjia kryesore e organizimit të dizajnit është një sistem qelizor, pjesërisht modular që integron ndërtesa të ndryshme departamentesh si një të vetme.
Pesë ndërtesat e KAPSARC ndryshojnë në madhësi dhe organizim për t’iu përshtatur më mirë përdorimit të tyre. Çdo ndërtesë ndahet në funksionet e saj dhe mund të përshtatet për t’iu përgjigjur ndryshimeve në kërkesat ose metodat e punës. Zgjerime shtesë mund të ndërtohen lehtësisht duke zgjeruar rrjetin e jashtëm “qelizor” të KAPSARC.
Ndërtesat e kampusit rrethojnë një oborr të madh publik, të mbrojtur nga kulla të mbështjella nga çeliku. Duke paraqitur një mbrojtje të fortë që lejon depërtimin e dritës së diellit, kampusi i KAPSARC është i hapur në veri dhe në perëndim, duke lejuar erërat mbizotëruese nga veriu që të futen në oborr duke krijuar një ambient të freskët.
Arkitektura e KAPSARC promovon transparencën dhe inkurajon një shoqëri aktive midis studiuesve dhe vizitorëve.