Arkitekturë
Projekti madhështor nga Zana Sokoli dhe Rrita Pula për “Europan15” në Suedi
Një projekt i prezantuar në garën “Europan15 Productive Cities 2” nga dy arkitektet kosovare Zana Sokoli dhe Rrita Pula, padyshim është një projekt madhor, edhe pse nga gara nuk doli projekt fitues, shkruan Ndërtimi.info.
Projekt propozimi i tyre i është përgjigjur detyrës projektuese të caktuar nga Europan Sweden dhe komuna e qytezës Täby në Suedi, në kuadër të konkursit ndërkombëtar Europan15. Ky konkurs solli për herë të dytë temën e “Qyteteve Produktive”, narrativë e cila kishte për qëllim trajtimin e tranzicionit ekologjik të zonave produktive të qyteteve në aspekt urban dhe arkitektonik.
Në kuadër të kësaj teme, qyteza Täby kishte përzgjedhur zonën Arnigne-Ullna përkatësisht lagjen Jaktvillekvarteren përmes së cilës ishte menduar të inicohet ndryshimi i kësaj zone drejt përmbushjes së vizionit “The Playful Arninge-Ullna” ku inovacioni dhe zgjidhjet e mençura ofrojnë një lagje vibrante, fleksibile dhe të sigurtë për të gjithë.
Arninge-Ullna është zonë në veri-perendim të komunës Täby – qytezë kjo 20km në veri të Stokholmit, e cila në vitet 1970 u zhvillua si zonë komerciale dhe industriale, ndërsa sot është duke u zhvilluar në një zonë komplementare duke përfshirë hapësira për banim dhe rekreacion. Lokacioni i konkursit momentalisht është zonë e gjelbëruar me potencial të madh zhvillimi të mëtutjeshëm.
Duke marrë parasysh këto veti, detyra projektuese e konkursit Europan15 Täby ishte gjenerimi i një masterplani inovativ për zonën në fjalë, i cili do të sistemonte vende pune, banimi, hapësira për rekreacion dhe funksione publike. Ky mastreplan është paraparë të balancojë përmbajtjen funksionale dhe hapësinore të zonës e Arninge-Ullna, duke e kthyer atë në një zonë të pasur me destinim të përzier. Duke qenë se lokacioni është i bashkëvendosur me nyjet kryesore të transportit rrugor dhe hekurudhor, ndër kërkesat kryesore të konkursit kishte qenë përmirësimi i transportit ekzistues dhe ndërlidhja e zonës së re me pjesët tjera të Arninge-Ullnas, duke përshirë këtu transportin publik, hapësirat për këmbësorë dhe çiklistë. Pra në përgjithësi, qëllimi i konkursit ishte arritja në një zgjidhje inovative urbane dhe arkitektonike sa i përket mbivendosjes dhe bashkëveprimit të funksioneve të ndryshme, materialeve të ndërtimit, menaxhimit të mjedisit, si dhe optimizimit të kapacitetit produktiv dhe kreativ të popullatës.
Projekt propozimi i dy arkitekteve ishte informuar nga hulumtime dhe analiza të shumta mbi kontekstin shoqëror, ekonomik, mjedisor dhe hapësinor të zonës Arninge-Ullna. Duke qenë se Suedia tenton të paraprijë me implementimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030, në këtë projekt ato kanë tentuar që t’i përkthejnë këto objektiva përmes disiplinës së peisazhit dhe arkitekturës, në mënyrë që Jaktvillekvarteren të transformohet në një lagje të shëndetshme produktive, me konsideratë ndaj ndryshimeve klimatike dhe numrit të popullsisë. Për më tepër, qendër e këtij projekti ishin konsideruar edhe qëndrueshmëria dhe gjithëpërfshirja shoqërore, ku përmes intervenimeve hapësinore është tentuar të gjenerohet ndjesia e përkatësisë dhe përgjegjësinë ndaj komunitetit dhe mjedisit.
Duke folur rreth projektit i cili ishte trajtuar në shkallë strategjike duke elaboruar ndërlidhjen e lokacionit me të gjithë zonën Arninge-Ullna, si dhe në shkalltë të lokacioni të ngushtë ku janë prezantuar dhe arsyetuar më në detaje ndërhyrjet në lagjen Jaktvillekvarteren, ato tregojnë disa nga karakteristikat e tij.
“Si tërësi, bashkëveprimi mes lokacionit dhe zonës në përgjithësi është trajtuar në aspekt të mobilitetit, gjelbërimit dhe rrjetit të hapësirave dhe objekteve publike. Si fillim, janë propozuar rrugë, shtigje dhe mënyra të transportit multi-modal të cilat deprioritizojnë përdorimin e makinave, në mënyrë që qasja në lokacion të jetë sa më e lehtë dhe fleksibile. Më tutje, kemi propozuar të prezervohet gjelbërimi i bollshëm ekzistues në shkallë të lokacionit, dhe përmes intervenimeve në pejsazh dhe struktura arkitektonike, të bëhet ndërlidhja me rezervat tjera natyrore të zonës. Gjithashtu, kemi propozuar një varg të aktiviteteve dhe funksioneve publike të, të cilat ndërlidhin ndërtesat dhe hapësirat e rëndësishme publike, si përbrenda lokacionit ashtu edhe në mes të lagjes dhe zonës në tërësi”, tregon Pula.
Ndërsa lokacionin e ngushtë e kanë trajtuar në disa aspekte komplementare:
“Në mënyrë që të prezervohet mjedisi ekzistues natyror, formësimi i programit të konkursit është fokusuar në densitet të lartë ndërtimi dhe pardorim efikas të sipërfaqeve të pandërtuara. Lokacinin e kemi ndarë në tri nën-lagje, të cilat definohen natyralisht nga rrjetëzimi i rrugëve ekzistuese dhe atyre të propozuara. Secila nënlagje më pas është ndarë në parcela më të vogla, duke krijuar kështu oborre të brendshme në formë labirinti, të cilat krijojnë hapësira komunitare në të cilat banorët mund të interaktojnë mes vete dhe me mjedisin natyror. Katësia, gabariti dhe arkitektura e ndërtesave respekton konfiguracionin e terrenit dhe vijëzurën urbane të zonës. Për më tepër, diversiteti i tipologjive të ndërtesave në lagje krijon bazn për një lagje të vetqëndrueshme në aspekt shoqëror dhe ekonomik. Gjithashtu, duke përcjellur vizionin e komunës për zonën e Arninge-Ullnas për ta shëndrruar qytezën në një “Qytet Lozonjar”, ne kemi propozuar një sistem të hapësirave rekreative të cilat janë baraz të shpërndara nëpër lokacion, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e të gjitha grupmoshave që do të jetojnë dh punojnë në lagje përgjatë tërë vitit. Veç kësaj, pjesë integrale e projektit është edhe trajtimi i të reshurave atmosferike, ku rregullimi i rrjedhës dhe përdorimit të ujërave atmosferik është shëndrruar në tipar të qëndrueshëm estetik”, shpjegon ajo.
Finalizimi i projektit nga dyshja Sokoli dhe Pula është bërë pas një pune intensive për një muaj e gjysmë, që nga hulumtimi, konceptimi i idesë e deri tek realizimi përfundimtar i materialit për konkurs.