Aktuale
Projekti ideor për muzeun “Ibrahim Kodra” në monument nxit reagime

Objekti i cili për gati shtatë dekada shërbeu si bibliotekë e qytetit të Prishtinës parashihet të marrë pamje tjetër. Në bazë të projektit ideor të publikuar nga drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, shihet se ana ballore e ish-objektit të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” do të marrë pamje tjetër, e po ashtu edhe oborri e objektet ekzistuese.
Projekti është bërë për ta konkretizuar shndërrimin e atij që mbrohet si monument i trashëgimisë kulturore qysh më 2011, në muze të artistit me nam, Ibrahim Kodra. Muzeu me emër “Ibrahim Kodra” – ku parashihet të ekspozohen mbi 100 vepra të mjeshtrit që njihet edhe si kubisti i fundit – do të funksionojë si degë e muzeut të qytetit, që do të vendoset po në këtë objekt në lagjen “Tophane”.
Ende nuk është bërë themelimi i muzeut, përderisa projekti ideor pritet të finalizohet brenda disa javësh, por si i tillë tashmë ka nxitur reagime të komunitetit. Është cilësuar se ndërhyrjet e jashtme me dru ia humbin relacionin me ndërtesën ekzistuese e cila është e mbrojtur me ligj. Propozimi për ridestinimin e ish-objektit bibliotekar ishte miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës më 21 prill të vitit 2017.
Asokohe u parapa që objekti të ridestinohej e të shndërrohej në qendër edukativo-arsimore, ku do të ekspozoheshin edhe mbi 30 vepra të maestros që u lind më 1918 në Shqipëri, e vdiq në vitin 2006 në Milano. Ndërsa në muajin qershor fondacioni dhe Komuna kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për themelimin e muzeut. Sipas dakordimit mes Komunës e Fondacionit, ky i fundit do t’i ofrojë për shfrytëzim pikturat origjinale të autorit për 30 vjet, me mundësi vazhdimi, si dhe do të krijojë program edukativ për artin figurativ për fëmijët dhe të rinjtë.
Objekti i mbrojtur me ligj si monument kulture qe ndërtuar në vitin 1930 .
