Aktuale
Projekti i partneritetit publiko-privat për ndërtimin e shkollës kontestohet nga opozita
Zyrtarët e tri partive opozitare në Fushë-Kosovë kanë ngritur dyshime për një marrëveshje të Komunës me kompaninë private “Al Trade” për ndërtimin e një shkolle në pronën e kësaj të fundit.
“Aksham pazar”, “hipotekë elektorale” etj., janë disa nga epitetet që i kanë dhënë kësaj marrëveshje zyrtarët e VV-së, PSD-së e të Nismës. Këshilltarët e këtyre tri partive kanë votuar kundër dy vendimeve që Kuvendi Komunal i ka miratuar në seancën e javës së kaluar për këtë çështje. Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra, ka thënë se nuk janë kundër ndërtimit të shkollës, por, siç thotë ai, për shkak të mostransparencës dhe lë hapësirë për manipulim, shkruan sot Koha DItore.
“Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e Kuvendit Komunal, votoi kundër ‘aksham pazarit’ me kompaninë ‘Al Trade’. Kërkesa e iniciuar nga kompania në fjalë, që ofroi 15 ari truall për ndërtim të një shkolle në Fushë-Kosovë, në këmbim të beneficioneve në ndërtim, doli të jetë si një mundësi e fundit për të përfituar favore në ndërtim, pra para se të vijë për t’u votuar në Kuvend Harta Zonale, e cila pritet të ndryshojë koeficientin e ndërtimit dhe disa kushte të tjera të ndërtimit”, ka thënë Durim Hajra. “Ne fillimisht kishim disa pyetje për drejtorin e Planifikimit Urban. Shtruam pyetjet se përse po ngutet ta ketë një marrëveshje me kompaninë ‘Al Trade’ pak javë para ardhjes në Kuvend për miratim të Hartës Zonale? Cilat kritere të ndërtimit do të merren parasysh për t’i dhënë beneficione kësaj kompanie? Pyetje tjetër në lidhje me këtë çështje ishte se përse anëtarët e Kuvendit nuk i kanë dokumentet e nevojshme, dokumente në të cilat po thirret ekzekutivi për një marrëveshje të tillë (PZHK, PZHU) dhe vendimin e vitit 2016 që e ka ndërmarrë Kuvendi për shndërrimin e asaj zone nga ndërtimi P+1 në P+7?”.
Këshilltari i VV-së thotë gjithashtu se ka kërkuar sqarim edhe nëse për këtë çështje ka pasur dëgjim publik para se të merrej ky vendim?