Aktuale
Projekti i Mirushës që garanton zhvillim ekonomik

Me idenë që Ujëvarat e Mirushës të shndërrohet në një Plitvicë të Kosovës dhe më gjerë, eksperti i fushës së turizmit, Hysen Sogojeva, ka hartuar një projekt që rregullon në mënyrë të atillë hapësirat brenda dhe jashtë ujëvarave, duke ofruar një zhvillim të qëndrueshëm.
Sogojeva në një intervistë për KosovaPress ka shpalosur disa nga pikat që përmban projekti i tij, sipas të cilit Ujëvarat e Mirushës do të ishin garancë për zhvillimin ekonomik të tri komunave, Klinës, Malishevës dhe Rahovecit.
Madje sipas tij, investimi në Mirushë, do ta bënte këtë të fundit gjenerator të vërtetë të zhvillimit ekonomik për mbarë vendin. Ajo që më së shumti i mungon Mirushës sot, sipas tij, janë hapësirat rekreative.
Ai bën të ditur se projekti në fjalë shumë shpejt do t’i dorëzohet Qeverisë dhe komunave relevante, në mënyrë që të realizohet nëpërmjet kontraktorëve të jashtëm, të brendshëm dhe subvencioneve.
Prof. Dr. Hysen Sogojeva vëmendje të madhe i kushton ruajtjes së origjinalitetit. Në mënyrë që kjo pasuri natyrore të mos degradohet, ai thotë se natyra e pastër nuk guxon të preket. Derisa hynë ngadalë në projekt, duke treguar detaje të tij.
Lumi Mirusha në pjesën e fundit të rrjedhës së tij, kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha, duke krijuar 12 ujëvara dhe 16 liqene, që e paraqesin një fenomen të rrallë, hidro-morfologjik dhe peisazh mahnitës për vizitorë.
E me qëllim që turistët të kenë mundësinë të shijojnë prej afër të gjitha bukuritë që ky monument posedon, Sogojeva në kuadër të projektit ka paraparë edhe teleferikët.
Krejt kjo në pamje të parë duket se mund të kushtojë shumë. Ndërsa konkretisht për këtë flet vet hartuesi i projektit.
Sipas tij, turizmi nuk ka qenë prioritet i Qeverisë, gjë që tregon se si rezultat nuk është bërë mjaftueshëm as për Mirushën.
Karakteristikë tjetër e Ujëvarave të Mirushës është edhe ngrirja e ujëvarës kur temperat janë të ulëta, gjë që sipas Sogojevës nxit turistët që ta vizitojnë edhe gjatë stinës së dimrit.
Ndryshe, Ujëvarat e Mirushës paraqesin fenomen të rrallë natyror me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Sipas IUCN, zona i përket kategorisë “Peisazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha, i përket kategorisë “Monument natyror”.
