Aktuale
Projekti ambicioz i tre studentëve për Prizrenin [foto]

Inspiruar nga qyteti i lashtë i 1001 dritareve, Berati, po mendohet që kryeqytetit historik të Kosovës, Prizrenit t’i shtohet edhe një objekt me qëllim rekreacioni dhe sportiv. Gjithçka kishte nisur duke e abstrahuar formën e shtrirjes urbanistike të shtëpive tradicionale shqiptare të Beratit.
Kushtrim Hajzeri
Sikur qyteti i Beratit që shtrihet shkallë-shkallë, ashtu këta studentë e kanë paraparë këtë qendër. Mirëpo, e njejtë është edhe lagja “Nën-Kala” e Prizrenit që shtrihet “tallasa-tallasa”.
Nga kjo, tre studentë të arkitekturës në Universitetin e Prishtinës kanë fituar një formë të shkallëzuar dhe pastaj, nga shkalla urbanistike atë formë e kemi zbritur në shkallën e një objekti arkitektonik, për projektin e tyre.
Vlorjan Paçarizi, Dren Begolli dhe Jeton Haxhimustafa kanë hartuar projektin e tyre për këtë objekt, e që e konsiderojnë miniaturë të një qyteti të vjetër shqiptar. Madje, ky projekt, i cili ishte realizuar si detyrë semestrale me mentore Vlora Navakazi, është publikuar edhe në faqen e famshme te arkitekturës, “Archello”.
Vloraj Paçarizi, ka treguar për Ndërtimi.info se çfarë konkretisht përfaqëson ky objekt i projektuar.
“Ideja është që ky objekt që të jetë jo vetëm ndërtesë për aktivitete sportive dhe rekreative por edhe një simbol dhe vlerë arkitektonike e këtij qyteti në fushën e sportit. Pothuajse ky ishte thelbi i projektimit dhe konceptit tonë në këtë detyrë semestrale për sallën sportive. Ideja për të krijuar lidhje në mes të vjetrës dhe të resë, për ta formësuar dhe konkretizuar si projekt arkitektonik ishte ‘themeli’ i gjithë angazhimit tonë në këtë projekt. Ndërtesa ka funksionin e saj themelor hallë sportive dhe pishinë olimpike. Pastaj, ka edhe funskione tjera percjellëse, siç janë: pishinat për fëmijë, restauranti për ushqime të shpejta, garazhimi, kthina për gazetar dhe VIP, sanitaret dhe në pikën më të lartë të ndërtesës me pamje nga pishina dhe palestra gjendet restaurant”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka shpjeguar se varësisht nga pjesët e objektet dhe funksionit të tyre janë paraparë edhe materialet që do të përdoren.
“Konstruksioni i këtij objekti është nga betoarmeja e paranderur në formë kasetoni të shkallëzuar për të formësuar dhe zhvilluar konceptin për këtë lloj ndërtese. Në kulm janë përdorur edhe hapje qelqi për të rritur sipërfaqen e ndriçimit dhe për të krijuar efekte më të mëdha të dritë-hijes në enterier. Në kubëzat ku nuk ka hapje, ka gjelbrim për të theksuar aspektin ekologjik dhe për të rritur shfrytëzueshmërinë e ndërtesës duke pasur mundësi ngjitje në të. Shtyllat dhe trajet janë nga beton-armeja. Sa i përket dyshemeve dhe shtresa të secilës sallë ato janë trajtuar ndryshe sipas destinimit të kthinës”, shtoi ai.
Për këtë objekt është gjetur edhe vendi ku do të mund të ndërtohet, por që sipas Paçarizit ende nuk është marrë ndonjë hap që projekti të paraqitet në Komunën e Prizrenit për realizim.
“Lokacioni i ndërtesës gjendet në qytetin e Prizrenit. Terreni i parcelës është i rrafshët dhe ka një formë pak a shumë të rregullt. Parcela është mjaftë e madhe, me një sipërfaqe prej 3.3 hektarë apo 32824 m2 dhe shputa e objektit në kuadër të parcelës zë 30%. Sa i përket pozitës së lokacionit, ai ka një pozitë mjaftë të përshtatshme. Gjendet në afërsi të qendrës së qytetit të Prizrenit dhe përshkohet nga rrugët kryesore që lidhin me Prishtinën dhe Pejën e Gjakovën”, ka shtuar ai.
Ashtu si Prizreni dhe çdo qytet tjetër në Kosovë, sipas Paçarizit ka nevojë për një ndërtesë te tillë. Kjo pasi ajo do të ofronte mundësi për më shumë aktivitete sportive dhe aktivitete të ndryshme me karakter kulturor, edukativ e rekrutues./Ndërtimi.info/
