Arkitekturë
Projektet madhështore të shkollave të reja në Tiranë nga italiani Stefano Boeri

Shkollat e dizajnuara nga Stefano Boeri Architetti do të ngrihen në Tiranë. Këto tri projekte arkitekturore inovative kushtuar arsimit parauniversitar, do krijojnë rrugën kulturore si një sipërmarrje të hapur shoqërore.
Të tri strukturat do të strehojnë pesë shkolla të cilat janë të hapura çdo ditë të vitit, 24 orë në ditë dhe do mirëpresin studentë të çdo moshe, shkruan Architect Magazine, transmeton Ndërtimi.info.
Të tri shkollat do të ndërtohen, siç parashihet në Master Planin e Tiranës, në lagjen verilindore të kryeqytetit shqiptar, në zonat e Don Bosco, Kodër-Kamëz dhe Sheshit Shqiponja. Projekti është i frymëzuar nga një vizion inovativ i funksionit social dhe kulturor të sistemit arsimor.
“Shkolla duhet të jetë e hapur për një ritëm të ri të jetës. Duhet të jetë një vend aktiv në të gjitha orët e ditës, çdo ditë të vitit, për të gjitha moshat: gjyshërit, të rinjtë, shoqatat lokale, ndërmarrjet krijuese, institucionet. Shkolla e hapur është zemra e shoqërisë sonë, që rreh bashkë me jetën që rrjedh brenda dhe përreth saj. Shkolla e re organizon takime, diskutime, dialogje për shoqata pa zyra qendrore. Ajo hap dyert për ata që kërkojnë një hapësirë për të filluar një sipërmarrje sociale dhe kulturore. Ajo mirëpret klubet e librit dhe organizon kurse për të eksploruar thellësitë më intriguese, të çuditshme dhe ekstreme të dijes ” shpjegon Stefano Boeri.
Vizioni dhe hapja e shprehur në “manifestin” e projektit shpjegohet nga menaxherja e projektit të Stefano Boeri Architetti, Francesca Cesa Bianchi.
“Tre shkollat e reja të Tiranës do të kenë fasadat me tulla të kuqe dhe bardha në çimento (një kombinim i materialeve që reflekton traditën e arkitekturës italiane në Tiranë) dhe do të funksionojë si një epiqendër lokale, si një pikë referimi e re e jetës publike në atë zonë. Shkollat tona do të jenë sheshet e vërteta urbane të lagjeve, të përdorura nga studentët gjatë orëve të shkollës, dhe nga komuniteti në fundjavë dhe festa” u shpreh Francesca Cesa Bianchi.
Projekti i Shkollave për Tiranën shtrihet mbi një sipërfaqe totale prej 29,609 metra katrorë. Kompleksi shkollor “Don Bosco”, me çerdhe, arsim parashkollor, shkollë fillore dhe të mesme (9,812 metra katrorë), Kompleksi Shkollor Kodër-Kamëz, me çerdhe, arsim parashkollor, shkollë fillore dhe shkollë të mesme (11,898 metra katrorë) , dhe kompleksin shkollor Shqiponja, me çerdhe, arsim parashkollor dhe shkollë të mesme (7,898 metra katrorë).
