Aktuale
Projektplani Rregullues për Zonën tek Fakulteti Teknik nga kjo datë do të hapet për publikun
Që nga katër shkurti i këtij viti publiku do të ketë mundësinë që të shoh Projektplanin e Hollësishëm Rregullues për Zonën te Fakulteti Teknik.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Kuvndi Komunal ka votuar pro propozim – vendimit që ky Plan projekt të jetë në dispozicion për diskutim publik.
“Njoftohet i gjithë publiku se Kuvendi i Komunës së Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur me datën 27.12.2019, votoi pro propozim – vendimit për lënien në dispozicion për diskutim publik të Projektplanit të Hollesishem Rregullues për Zonën te Fakulteti Teknik, në lagjen “Bregu I Diellit “ dhe njëkohësisht ka marrë Vendim nr.01-350/05-315010/19 që ky Plan të I lihet në dispozicion publikut për shqyrtim dhe komente”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Projekt – plani do të jetë i ekspozuar në hollin e objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës, që nga katër shkurti më kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Ky Projekt – plan do të ekspozohet në hollin e objektit të Komunës së Prishtinës, rruga UÇK – 2 (objekti i vjetër i Komunës), kati 2, në kohëzgjatje prej 30 ditësh duke filluar prej datës 04.02.2020, çdo ditë pune prej orës 09:00–16:00”, njoftohet nga Komuna.
Sipas tyre, pas këtij afati do të evidentohen përmbledhjet e propozimeve, komenteve apo edhe kundërshtimeve, në mënyrë që ato të shqyrtohen para se të bëhet miratimi përfundimtar i projektit.
“Organizmin e shqyrtimit publik të këtij Projekt-Plani e bën Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Komunës së Prishtinës, me ç’rast do të evidentohen përmbledhjet e propozimeve, komenteve dhe kundërshtimeve të bëra gjatë shqyrtimit publik, në mënyrë që të njëjtat të shqyrtohen para miratimit përfundimtar të këtij Projekt-plani nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës”, tregohet në njoftim.