Featured
Programi Qeveritar drejton milionët e infrastrukturës kah Rrafshi i Dukagjinit [dokument]
Me të marr timonin e udhëheqjes, Qeveria e Kosovës hartoi edhe programin qeverisës për katër vitet e ardhshme (2017-2021), ku janë përfshirë edhe shumë investime infrastrukturore, plan të cilin e zotëron Ndërtimi.info.
Por sa i përket investimeve që parashihen në Ministrinë e Infrastrukturës, po del që Rrafshi i Dukagjinit të jetë më fatlum. Kjo pasi në qeverisjet e kaluara, gjithmonë është përmendur nga opozita se është regjion i lënë anash, sidomos nga partia që sot ka kryeministri, Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sikur Haradinaj, ashtu edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i kanë kthyer sytë kah vendlindja. Njëri vjen nga Gllogjani i Deçanit, e tjetri nga Gjakova, shkruan Ndertimi.info.
Sipas programit të Qeverisë Haradinaj, projekti për investim infrastrukturor për Anamoravën do jetë autostrada Gjilan-Dheu i Bardhë. Një tjetër investim do të jetë për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, dhe një për zgjerimin e rrugës regjionale Skenderaj-Prishtinë-Podujevë.
Veç këtyre tri investimeve në territorin e Kosovës, më së shumti projekte tjera janë paraparë për rajonin e Dukagjinit.
Bëhet fjalë për projektin Prishtinë-Pejë, segmenti Zahaq-Pejë. Rikonstruimi i rrugës Klinë-Gjakovë-Morinë, kufiri me Shqipërinë. Rikonstruimi i rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren. Ndërtimi i rrugës Deçan-Kufiri me Malin e Zi. Vazhdimi i realizimit të drejtimit rrugor Morinë-Prishtinë-Merdarë.
Gjithashtu në këtë program është paraparë edhe projektet e filluara në rrugët magjistrale dhe regjionale, mirëmbajtja e rrugëve në sezonin verore e dimërore si dhe sinjalizimi i rrugëve.
MI ka parashikuar edhe organizimin dhe menaxhimin e transportit ajror dhe hekurudhor.
Gjithashtu në plan parashihet përfundimi i Autostradës Prishtinë-Hani Elezit, e cila lidhë koridoret VIII-të dhe X-të në mes Maqedonisë me Prishtinën. Deri më tani në këta autostradë janë përfunduar dhe janë hapur për trafik 20 kilometra të Autostradës, pra kyqja R6/7, kyçja Konjuh. Ndërsa, punimet janë duke vazhduar në trasenë kyçja Babush-Ferizaj, kyçja Doganaj në drejtim Kaçanik- Han i Elezit. Ky projekt nuk do të përfundoj në fillim të 2018-ës siç ishte paraparë, tani projekti sipas Ministrisë së Infrastrukturës do të përfundojë në fund të 2018-ës.