Aktuale
Profesor Hasani tregon pse pati defekte në ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova”

Pavarësisht që në Autostradën “Ibrahim Rugova” u derdhën gati 1 miliardë euro, kjo rrugë pati defekte të mëdha në ndërtim. Defekte të cilat “harrnoheshin” nga kompania përgjegjëse, e që u paguan nga Ministria e Infrastrukturës.
Gjithë kjo erdhi si pasojë e punimeve jo të mira.
E sipas profesorit të lëndës së “Projektimit të Rrugëve”, Naim Hasani, Kosova po mashtrohet me emrat e kompanive të huaja.
“Te ne shpeshherë shkohet dhe opinioni jonë mashtrohet me emrin e një kompanie amerikane. Të ne kanë dalë probleme, siç është rrëshqitja e dheut nga Suhareka deri në Vermicë. Masnej kemi në anën e kundërt rrëshqitje menjëherë pas dy viteve. Kemi edhe në Prishtinë duke u punuar“, tha Hasani.
Hasani ka kritikuar punimet që janë bërë në këtë rrugë, ku ka theksuar se asfaltimi i rrugës që bëhet në Kosovës prishet ende pa u bërë një muaj. E që kjo sipas rregullave do të duhet të jetë me 5 vite garanacion.
“Një rrugë që ndërtohet sipas standardeve duhet të ketë së paku 5 vite garancion që të rrinë ashtu si është përuruar. Nëse 5 vite qëndron ashtu siç është përuruar, ajo pastaj ashtu rrinë, 10 20 vite tjera përshkak se kanë marrë përfundim proceset e uljes. E jo sikur te na java e muaji mos me prit. Aty është mungesa e ekspertit, ndoshta edhe në projektim”, tregon Hasani.
Por për ndërtimin e këtyre rrugëve me rëndësi, Hasani thotë se ata si profesor dhe si ekspert nuk i pyet askush.
“Nuk na pyet askush, as nuk na ka thirr. Nuk është ajo ana materiale që unë të shkoj pas tyre, por e shoh që është më shumë ana materiale e tyre që të më pyesin mua përshkak se aty ka një llogari për mos me tejkalu, ose tek e fundit nuk e nënshkruaj”, përfundon Hasani.
