Arkitekturë
Profesor Gjinolli tregon pse çarshitë e Kosovës i rezistuan kohës

Planifikimi urban në Kosovë ka qenë i keqkuptuar kohë më parë. Kështu ka konsideruar profesori i Fakultetit të Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë, Ilir Gjinolli, në një intervistë për Ndërtimi.info.
Zanafilla e arkitekturës si profesion i organizuar dhe planifikimit urban, sipas Gjinollit zanafillë kanë diku në ish- Jugosllavi.
Ai ka thënë se ka qenë një periudhë 30 vjeçare që kanë ardhë njerëz prej jashtë dhe kanë ndërtuar, por që nuk mund të konsiderohet periudhë që ka ndikim shumë në zhvillimin e vetëdijes. Sipas tij në fakt ka pasur shumë pasoja sepse kanë qenë ndryshime drastike, ka qenë perandoria otomane në rënie e krejt ajo që është ndërtuar ka qenë jo mirë e mirëmbajtur dhe e dëmtuar.
Sa i përket ndërtimeve, ai ka potencuar se në atë kohë kanë qenë të përhapura vakëfet dhe esnafet, por që pastaj edhe janë shkatërruar.
“Në periudhën e ish-Jugosllavisë dhe pas luftës esnafet janë shkatërruar, vakëfi e ka humbur rëndësinë, sidomos pas luftës ku BIK, xhamia, feja islame e ka humbur rolin që e ka pasur dhe vakëfi e ka humbur rolin e vetë. Me shuarjen e tyre edhe ndërtesat kanë mbetur pa mirëmbajtje , nuk kanë mundur lehtë t’i zgjidhin problemet e mirëmbajtjes”, ka thënë ai.
Ai, ka treguar pse Çarshia e Gjakovës, ajo e Pejës dhe Prizrenit i kanë rezistuar kohës.
“Unë konsideroj se ruajtja e Çarshisë së Gjakovës, pjesërisht e Pejës dhe pak e Prizrenit janë kryesisht atëherë kur ato dyqane janë shëndërruar në prona private. Në Gjakovë është ruajtur më së miri për shkak se shumica e dyqaneve janë shndërruar në private”, ka theksuar profesor Gjinolli.
