Aktuale
Procedurat e legalizimit për ndërtimin e shtëpive të kategorisë I dhe II

Me Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve Pa Leje trajtohen edhe ndërtimet me rrezikshmëri të ulët që përfshihen në kategorinë I dhe ndërtimet me rrezikshmëri të mesme që është kategoria II ndërtimet këto që jan shtëpi.
Me nenin 13 të këtij Ligji trajtohen gjitha ato shtëpi që janë në kategorinë I dhe II ndërtimet e të cilave janë të përfunduara ose substancialisht të përfunduara.
Për legalizim aplikuesi dorëzon në komunën që gjendet ndërtimi formularin e aplikimit dhe dokumentet tjera të kërkuara siç parashihet në aktin nënligjor të miratuar nga Ministria sipas nenit 24 nën paragrafi 1.1 dhe brenda afateve të përcaktuara në nenin 21 të këtij Ligji, shkruan Ndërtimi.info
Aplikacioni për legalizim duhet të përmbajë certifikatën e pronësisë mbi parcelën ndërtimore ose dokumentacionin e nevojshëm për qëllime të regjistrimit në RDPP. Por, nëse aplikuesi nuk arrin që të sigurojë as certifikatën e pronësisë, e as dokumentacionin e nevojshëm për qëllime të regjistrimit në RDPP, atëherë, aplikacioni përfshihet në listën e pritjes, ashtu siç e parasheh neni 10 paragrafi 2 i këtij Ligji.
Në certifikatën e legalizimit e cila do të regjistrohet në kadastër duhet edhe deklarata e nënshkruar nga pronari i ndërtimit pa leje që pranon të gjitha përgjegjësitë për sigurinë e strukturës së ndërtimit.
Kurse nëse një aplikues është përfitues i skemës së ndihmës sociale sipas Ligjit në fuqi për skemën e ndihmës sociale në Kosovë, komuna do të kryej pa pagesë matjet e nevojshme të përcaktuara në aktin nënligjor të miratuar nga Ministria.
Pas këtyre procedurave nëse organi kompetent vlerëson se aplikacioni është i kompletuar dhe ndërtimi pa leje kualifikohet për legalizim sipas këtij Ligji, atëherë organi kompetent ndërtimin pa leje do ta legalizojë pas pagesës së taksës së përcaktuar në nenin 20 të këtij ligji.
Pastaj, pas bërjes së pagesës së taksës përkatëse sipas këtij Ligji, ndërtimi shënohet si “i legalizuar” në Bazën e të Dhënave të Legalizimit. Ku pa kosto shtesë regjistrohet edhe ndërtimi në Kadastër me një shënim që është legalizuar.
Ndërsa, nëse pronari i ndërtimit pa leje të legalizuar nuk është pronari i regjistruar i parcelës ndërtimore por ofron dokumentacion të mjaftueshëm për qëllime të regjistrimit në RDPP, regjistron të drejtën pronësore mbi ndërtesën dhe parcelën ndërtimore në RDPP pa kosto shtesë dhe i jep aplikuesit certifikatën e legalizimit dhe dokumentet përkatëse që vërtetojnë regjistrimin në Kadastër dhe në RDPP brenda 60 ditëve pas dorëzimit të aplikacionit të kompletuar nga aplikuesi.
E nëse ndërtimi pa leje nuk kualifikohet për legalizim apo nëse aplikuesi nuk i korrigjon mangësitë në aplikacion ose në ndërtim pa leje, apo edhe nëse nuk e paguan taksën e kërkuar sipas nenit 20 të këtij Ligji, atëherë organi kompetentë nxjerr vendim me shkrim për refuzim të legalizimit dhe e vendos ndërtimin pa leje në listën e rrënimit.
